2014-07-05 19:23:30

Papa në Kampobaso: t’u rikthehet dinjiteti njerëzve të punës


Shfrytëzimi i drejtë i tokës, dinjiteti i punës, familja. E nisi me këto fjalë bisedën e parë në Molise, Papa Françesku, duke u takuar me njerëzit e punës e të industrisë, në Universitetin e Molises, në Kampobaso. Prekës, takimi me një grua në pritje të foshnjës, së cilës i bekoi frytin, duke ia prekur ferishten e palindur akoma.RealAudioMP3
Papa u kërkoi të pranishëmve t’i shpërfillin skemat e të jenë krijues të së ardhmes. Këtë na nxit të bëjmë Zoti. Na nxit ta punojmë tokën e ta shfrytëzojmë sa më me fryt:
“Kur fshatari rri në tokën e tij, nuk do të thotë se rri pa lëvizur. Rri duke dialoguar, në një dialog frytdhënës, dialog krijues. Është dialogu i njeriut me tokën e tij, të cilën e bën të lulëzojë, e bën pjellore, për të gjithë ne. Ky është mëkati ynë: ne e shfrytëzojmë tokën e nuk e lëmë të na japë gjithë begatinë që ka brenda, me ndihmën e punës sonë”.
Papa theksoi domosdoshmërinë e punës, por të një pune që nuk ta rrëmben gjithë kohën e lirë. Puna duhet t’i lërë njeriut edhe kohën e lirë, të nevojshme për familjen, kohën për fëmijët, kohën për pushim, ditën e diel.
Françesku kërkoi që e diela të jetë gjithnjë e lirë, t’i përkasë lidhjes së njeriut me Zotin, me bashkësinë, me familjarët, me miqtë.
Vuri theksin edhe mbi mungesën e punës, posaçërisht në një vend si Italia e në një zonë si Molise, që jeton kryesisht me bujqësi e artizanat e ku, natyrisht, puna nuk gjendet lehtë. Kërkoi, më pas, një pakt për punën, për t’iu përgjigjur dramës së papunësisë, duke riktheksuar binomin punë-dinjitet:“Të mos kesh punë nuk do të thotë vetëm të mos kesh gjërat e nevojshme për të jetuar, jo! Ne mund edhe të hamë ditë për ditë, po ky nuk është problemi. Problemi është të kthehesh duarbosh në shtëpi: kjo është e rëndë, kjo të lë pa dinjitet! Prandaj duhet të punojmë e ta mbrojmë dinjitetin, që na e jep puna”.







All the contents on this site are copyrighted ©.