2014-07-03 16:55:20

Çelësi i fjalëve të Kishës – bashkimi bashkëshortor (V)


Si çdo të enjte, në udhën drejt Sinodit për familjen, edhe sot na shoqëron letra e Shën Gjoni Palit II drejtuar familjeve. Në paragrafin e sotëm (n. 8), papa Wojtyla flet për natyrën e bashkimit bashkëshortor, duke u nisur nga riti i kremtimit të sakramentit të martesës:RealAudioMP3

“Premtoj se do të të jem besnik gjithmonë, ... të gjitha ditët e jetës sime”
“Vetëm “vetjet” janë në gjendje t’i shqiptojnë këto fjalë; vetëm ata janë të aftë të jetojnë “të bashkuar” mbi bazën e zgjedhjes së ndërsjellë, që është, ose duhet të jetë, krejtësisht e vetëdijshme dhe e lirë. Libri i Zanafillës, kur flet për burrin, që e braktis të atin dhe të ëmën për t’u bashkuar me gruan (khs Zan 2,24), nxjerr në pah zgjedhjen e vetëdijshme dhe të lirë prej të cilës buron martesa, dhe e cila bën një bir e një bijë burrë e grua. Si mund ta kuptojmë drejt këtë zgjedhje të ndërsjellë, nëse nuk mbajmë parasysh të vërtetën e plotë të njeriut, domethënë qenien e tij të arsyeshme dhe të lirë? Koncili II i Vatikanit flet për ngjashmërinë me Hyjin, duke përdorur fjalë shumë domethënëse. Ai i referohet jo vetëm përngjasimit dhe shëmbëlimit me Hyjin, që çdo qenie njerëzore i ka për vetë natyrën e vet, por i referohet edhe, madje mbi të gjitha, “një farë përngjasimi ndërmjet bashkimit të vetjeve hyjnore dhe bashkimit të bijve të Hyjit në të vërtetën dhe në dashuri” (Gaudium et Spes, 24).
Ky formulim, veçanërisht i pasur dhe depërtues, pohon para së gjithash çfarë e përcakton identitetin e thellë të çdo burri dhe çdo gruaje. Ky identitet gjendet tek aftësia për të jetuar në të vërtetën dhe në dashuri; por, edhe më shumë, ai gjendet tek nevoja për të vërtetën dhe dashurinë, që janë përmasat themeltare të jetës së vetjes njerëzore. Kjo nevojë për të vërtetën dhe për dashurinë e hap njeriun, si drejt Hyjit, ashtu edhe drejt krijesave: e hap ndaj vetjeve të tjera njerëzore, ndaj jetës “në bashkim”, veçanërisht ndaj martesës dhe familjes. Sipas fjalëve të Koncilit, “bashkimi” i vetjeve njerëzore rrjedh, në një farë mënyre, nga misteri i “ne”-së trinitare, prandaj edhe “bashkimi martesor” ka lidhje me këtë mister. Familja, që zë fill me dashurinë e burrit dhe të gruas, buron që në rrënjë nga misteri i Hyjit. Kjo është në përkim me esencën më të thellë të burrit dhe të gruas, me dinjitetin e tyre burimor dhe të mirëfilltë si vetje njerëzore.
Burri dhe gruaja bashkohen me njëri-tjetrin kaq shumë në martesë, saqë bëhen – sipas fjalëve të librit të Zanafillës – “një mish i vetëm” (Zan 2,24). Mashkull e femër për nga përbërja fizike, dy subjektet njerëzore, edhe pse të ndryshëm në trup, kanë të barartë aftësinë për të jetuar “në të vërtetën dhe në dashuri”.
Kjo aftësi, karakteristikë e qenies njerëzore, për faktin se është vetje, ka, njëkohësisht, përmasa shpirtërore dhe trupore. Edhe me trup, burri dhe gruaja janë të parapërgatitur për të formuar “bashkimin e vetjeve” në martesë. Kur bashkohen me forcën e lidhjes martesore, në një mënyrë të tillë sa të bëhen “një mish i vetëm”, bashkimi i tyre duhet të kryhet “në të vërtetën dhe në dashuri”, duke nxjerrë kështu në pah pjekurinë e vetjeve të krijuara në shëmbëllimin dhe përngjasimin e Hyjit.
Familja, që buron prej këtij bashkimi, e siguron forcën e vet të brendshme nga besëlidhja e bashkëshortëve, të cilën Krishti e ka lartuar në sakrament. Ajo e arrin natyrën e vet bashkësiore, madje edhe karakteristikat e “bashkimit”, me anë të bashkimit themelor të bashkëshortëve, që shtrihet tek bijtë. “A jeni të gatshëm t’i pranoni me përgjegjësi dhe dashuri bijtë që Hyji do t’ju japë dhe t’i edukoni...?” – pyet kremtuesi gjatë ritit të martesës. Përgjigjja e bashkëshortëve përkon me të vërtetën e thellë të dashurisë që i bashkon. Bashkimi i tyre, pra, në vënd që t’i mbyllë në vetvete, i hap ndaj jetës së re, ndaj vetjes së re njerëzore. Si prindër, do të jenë të aftë t’i japin jetën një qenieje të ngjashme me ta, e cila është jo vetëm “mish prej mishit të tyre dhe asht prej eshtrave të tyre” (khs Zan 2,23), por shëmbëllim dhe përngjasim me Hyjin, domethënë vetje.
Duke i pyetur: “A jeni të gatshëm?”, Kisha u kujton bashkëshortëve të rinj se gjenden përballë forcës krijuese të Hyjit. Janë të thirrur të bëhen prindër, domehtënë të bashkëpunojnë me Krijuesin për të përçuar jetën. Të bashkëpunojnë me Hyjin, për të thirrur në jetë qenie të reja njerëzore, do të thotë të ndihmosh në përçimin e shëmbëllimit dhe ngjashmërisë me Hyjin, që ka çdo njeri “i lindur prej gruas”.








All the contents on this site are copyrighted ©.