2014-06-13 14:09:08

Hapet me festa e protesta, Kampionati Botëror i Futbollit


U hap mbrëmë zyrtarisht në stadiumin Itaquerao të San Paolos në Brazil, edicioni i 20-të i Kampionatit Botëror të Futbollit. Së bashku me 60 mijë spektatorët, në tribunë, edhe presidentja Dilma Rousseff dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun. Dritat, ngjyrat e muzika e ceremonisë së hapjes ia lanë vendin ndeshjes së parë, fituar nga brazilianët kundër kroatëve, ndërsa në shumë qytete, greva e protesta me disa të plagosur.
Një fëmijë paraplegjik i dha topit goditjen e parë, në sajë të teknologjisë. Tre pëllumba u lëshuan po nga duart e fëmijëve, duke hapur kështu garën për Kupën e Botës. Mesazh paqeje e vëllazërimi edhe nga spektatorët, shumica me bluza të verdha, si ato të futbollistëve, zot shtëpie. Festa e hapjes prej 25 minutash pati tre koreografi, ku morën pjesë 660 figurantë, për të treguar me muzikë, këngë e valle, traditën, natyrën, historinë e Brazilit, vend i mrekullueshëm. Valltarët e sambës e të kapoeirës sollën atmosferë gazmore në fushë, sytë u mbushën me ngjyrat e blerimit të Amazonës, pastaj kostumet tipike të gaucho-ve, çobenjve legjendarë të jugut të Brazilit. Në qendër të skenës, një glob i ndritshëm me ngjyrat e topit zyrtar të këtij Kampionati dhe me flamujt e 32 vendeve pjesëmarrëse. Në fund u hap si një lule, për nder të himnit zyrtar të Kupës së Botës 2014, kënduar nga Jennifer Lopez, Claudia Leite dhe reperi Pitbull.
Por, në Brazil, nuk pati vetëm festë. U anullua fjalimi i parashikuar i presidentes Dilma Rousseff, e cila u prit me fishkëllima kur hyri në stadium. Jashtë, në San Paolo, por edhe në Rio-de-Zhanejro, vazhduan protestat kundër shpenzimeve të larta për kampionatin. Policia ushtarake përdori gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës për të shpërndarë njerëzit. 3 vetë u arrestuan, ndërsa të plagosurit janë rreth dhjetë, ndër të cilët edhe dy gazetare të CNN-it e një operator i një televizioni lokal.
Kisha Katolike në Brazil pati përgatitur një lloj “kartoni të kuq”, broshurë, në të cilën kritikonte organizatorët për shpenzimin e miliona dollarëve për stadiumet, ndërsa shërbimet për publikun nuk janë përmirësuar aspak. Konferenca Ipeshkvnore Braziliane shkruan: “Kisha dëshiron të kontribuojë në debatin publik dhe të shprehë shqetësimin për përmbysjen e përparësive në përdorimin e fondeve publike, që duhet të shkojnë për shëndetësinë, arsimin, transportin dhe sigurinë”.
Gjithashtu, ajo kritikon shpërnguljen e qindra të varfërve nga zonat pranë stadiumeve, mosrespektimin e normave ambientale dhe dorëzimin e sportit në dorën e “korporatave të mëdha”. Me fushatën “Play for life” (Luaj për jetën), Kisha Katolike u bën thirrje sërish autoriteteve braziliane të luftojnë shfrytëzimin seksual dhe trafikun e njerëzve, gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit. Ndërsa me fushatën “Steilpass”(Kros i gjatë) u jepen atyre 10 rregulla për drejtësinë dhe barazinë ndërmjet të gjithë brazilianëve. Ato vënë në pah nevojën për punë dinjitoze; për arsimim; për forcimin e kontrollit dhe të drejtësisë; reforma agrare; kontrollin demokratik mbi mediat; mbrojtjen e të rinjve nga dhuna; ruajtjen e kulturave të ndryshme; luftën kundër korrupsionit; përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje; si edhe për kujdesin shëndetësor për të gjithë. Synime afatgjata, që shkojnë shumë më larg se Kampionati Botëror i Futbollit, por për të cilat ia vlen të shpenzohen fondet e harxhuara deri tani për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.