2014-06-11 13:51:46

Mbledhja e Londrës për abuzimet seksuale gjatë konflikteve. Papa: të lutemi për viktimat


U hap dje në Londër, mbledhja, që i kushtohet çështjes së përdorimit të abuzimeve seksuale si “armë lufte”. Edhe Papa, në faqen e tij në Twitter, lutej për viktimat e këtyre shpërdorimeve. Punimet i përuroi aktorja amerikane Angjelina Zholi, ambasadore vullnetmirë e Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, dhe ministri i jashtëm britanik, Uiliam Hagë. Është takimi më i madh, që i është kushtuar ndonjëherë kësaj teme: katër ditë, me pjesëmarrjen e 100 vendeve, me përfaqësues të nivelit të lartë si Sekretari i Shtetit amerikan, Xhon Kerri, në praninë e mëse 900 ekpertëve ushtarakë e juridikë, të organizatave jo qeveritare, të shoqatave humanitare dhe të eksponentëve fetarë.
Kjo mbledhje është rasti i parë në këtë nivel, për të theksuar edhe një herë se përdhunimi e shpërdorimi seksual gjatë luftës është krim i rëndë ndërkombëtar, i ndaluar që në vitin 1949 nga Konventa e Gjenevës, por i njohur si krim lufte vetëm në vitin 1996. Shekulli XX na ka lënë trashëgim dhunime seksuale kryer nga ushtarët e të gjitha ushtrive të përfshira në Luftën II Botërore, por sidomos nga pjesëmarrësit në konfliktet, që përfshinë ish-Jugosllavinë.
Nënat kosovare mund të mbushin libra të tëra për këtë argument. Rrëfimet e disa prej grave, nga rreth 20 mijë të përdhunuarat gjatë luftës në Kosovë, rrënqethin këdo që i lexon, apo i dëgjon, edhe në internet. Po ashtu, në Bosnjë-Hercegovinë mendohet – e ky është vetëm një vlerësim i përafërt – se gratë e përdhunuara arritën shifrën e frikshme nga 20 mijë deri në 50 mijë vetë. Në Ruandë, qindra mijëra gra tutsi u përdhunuan gjatë luftës me etninë hutu. Gjykata Penale ndërkombëtare kushtuar këtij konflikti afrikan deklaroi se përdhunimi hyn në krimet e genocidit. Në atë rast, viktimat ishin 250-500 mijë femra.
Në 14 vitet e para të shekullit XXI, siç dokumentohet nga Amnesty International, dhuna seksuale përdoret akoma kundër grave e burrave në konfliktet e Sirisë, të Kolumbisë, të Irakut, të Çeçenisë, të Afganistanit, të Sudanit, të Çadit e të Republikës Demokratike të Kongos. Pasojat ndikojnë mbi gjithë shoqërinë, por për viktimat, sidomos për gratë, dhuna kthehet në përjashtim nga jeta normale, sepse tregohen me gisht nga të gjithë, përveçse marrin sëmundje seksuale, që u shkaktojnë jo pak probleme. Konferenca e Londrës, shpjegoi Sekretari i Shtetit amerikan, Xhon Kerri, të cilit i është besuar mbyllja e takimit, më 13 qershor, synon ta kthejë dhunën seksuale në konflikte në diçka, që i përket së shkuarës. Urojmë të ndodhë vërtet kështu, por edhe t’i jepet fund mosdënimit të fajtorëve të këtij krimi, të cilët sot e kësaj dite, shpesh, janë të lirë. Kerri nënvizoi se qeveritë duhet t’u mohojnë strehimin dhe mbrojtjen atyre, që kryejnë këto “vepra të neveritshme”. Të dëgjojmë ambasadorin e Britanisë së Madhe pranë Selisë së Shenjtë, Najxhel Bejkër (Nigel Baker):
Duke filluar nga Bosnja e duke përfunduar në Siri, në Kongo, në Ruandë: asistojmë jo vetëm në një akt lufte, por në një akt sistematik, që bëhet nga milicitë, qeveritë, rebelët, të cilët e përdorin dhunën seksuale si armë. Londra 2014 është pjesë e një procesi nisur në shtatorin e kaluar, kur u paraqit në Kombet e Bashkuara një deklaratë, e cila sot është nënshkruar nga 150 vende, tre të katërtat e anëtarëve të OKB-së. Pra, ekziston vullneti politik, por si ta kthjejmë atë në praktikë për çrrënjosjen e këtij krimi? Ky është objektivi kryesor i Konferencës, gjatë së cilës do të paraqitet një protokoll ndërkombëtar për përgjigjen, që i duhet dhënë kësaj plage të tmerrshme të luftës. E impenjimi duhet të vijojë.








All the contents on this site are copyrighted ©.