2014-06-08 16:11:56

Priori i Bozes, Enco Bianki: paqja në Lindjen e Mesme kalon përmes faljes


Rëndësia e takimit të lutjes në Vatikan, në praninë e Papës Françesku, të presidentit izraelit Shimon Peresh, të atij palestinez Mahmud Abas dhe të Patriarkut ortodoks Bartolomeu I, në fjalët e priorit të Bozes, Enco Bianki, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Kjo nismë e Papës Françesku na befasoi pak të gjithëve, sepse është një gjest, që vërtet nuk kishte ndodhur kurrë me iniciativën e një pape. Por, më duket se ka domethënie të madhe, sepse Papa e vë kështu veten brenda skenarit politik, për të zgjidhur problemet e Lindjes së Mesme. Nuk mjaftohet thjesht me një thirrje për paqen, por arriti të përfshijë dy protagonistë të konfliktit në Lindjen e Mesme për t’i sjellë në lutjen për paqen, pra në atë marrëdhënie me Zotin, që është një për të gjithë: Hyji i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit. E të gjithë kërkojnë paqen: natyrisht, njëri pas tjetrit, nuk është lutje e përbashkët, por është lutje drejtuar Zotit, në të cilën njëri është dëshmitar i lutjes së tjetrit e kështu, paqja ndjehet vërtetë si dhuratë, që mund të kërkohet e për të cilën mund të kemi përgjegjësi të përbashkët. Më duket diçka vërtet profetike, e bukur, sigurisht e paparë, por kjo është aftësia e Papës Françesku, i cili ndjen me zemër, i ndjen thellë mëshirën dhe dhembshurinë dhe i kthen këto ndjenja në gjeste të qarta për të gjithë: besimtarë e jo besimtarë.
Ç’mund të bëjë lutja, para një krize kaq të gjatë?
Eh… në një krizë kaq të gjatë nuk ka mundësi të gjendet zgjidhja për konfliktin, nëse një ditë nuk kalojmë përmes faljes. Sepse si nga njëra anë, ashtu edhe nga tjetra, ka arsye për luftë e jo për paqe. Por, nëse arrijmë tek falja, tek pajtimi, unë besoj se kjo është udha. Por një rrugë të tillë duhet t’ia kërkojmë dhuratë Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.