2014-06-06 12:47:42

70 vjet më parë, zbarkimi në Normandi. Papa: mirënjohje për ata, që luftuan kundër nazizmit


70 vjet më parë, aleatët zbarkuan në Normandi, duke nisur një betejë, që përmbysi fatet e Luftës II Botërore. Në një mesazh, Papa Françesku nderon ushtarët, që në atë bregdet evropian, luftuan kundër barbarisë naziste, për të çliruar Francën e pushtuar. Sot, kremtimet për të kujtuar atë ngjarje.RealAudioMP3
Kësaj here Franca deshi një spektakël madhështor, me 500 pjesëmarrës për të kujtuar atë, që njihet nga historia si “D-Day” më e famshme e gjithë operacioneve ushtarake. 8 mijë të ftuar, ndër të cilët 20 krerë shtetesh, e rreth njëmijë veteranë, të gjithë në kremtimin ndërkombëtar, në plazhin “Sword Beach”. Shumë nga presidentët e kryeministrat janë në zonë për shkak të mbledhjes së G7-ës, që u mbajt në Bruksel. Dje pasdite, mbretëresha e Anglisë, Elizabeta, vendosi një kurorë me lule nën Harkun e Triumfit në Paris, së bashku me presidentin francez, Holandë.
Në mesazhin e tij, Papa Françesku kujton ç’ndodhi 70 vjet më parë, duke vënë në dukje se edhe ushtarët gjermanë, në fund të fundit, ishin po aq viktima sa të tjerët në Luftën II Botërore, në të cilën ishin të detyruar të merrnin pjesë për interesat e atyre, që lëviznin fijet e këtyre “marionetave”. Natyrisht, dëmet e shkaktuara dhe humnera ku u zhyt shpirti njerëzor arritën nivele të papara, prandaj Ati i Shenjtë i fton brezat e sotëm t’u jenë mirënjohës paraardhësve, që bënë sakrifica kaq të rënda. Se ç’rëndësi ka kjo “D-Day”, pra zbarkimi i aleatëve në Normandi, për kujtesën kolektive, të dëgjojmë historianin italian, Francesco Malgeri:
Përfaqësoi një çast themelor për historinë e Luftës II Botërore, pasi e mbërtheu si me danë ushtrinë gjermane: në Perëndim, aleatët e, në Lindje, Bashkimi Sovjetik. Ky vendim u mor në Konferencën e Teheranit, në dhjetor 1943, ku, pas këmbënguljes së vazhdueshme të Stalinit, u vendos të hapej ai, që u quajt “fronti i dytë”, pra, fronti perëndimor.
Ngjarje e planifikuar me hollësi, mbi të cilën rëndonin shumë pikëpyetje. Çfarë solli suksesin e atij operacioni?
Së pari, suksesi u përcaktua nga impenjimi masiv i forcave, i mijëra anijeve të luftës e të mjeteve për zbarkim; ndoshta, edhe nga gabimi i gjermanëve, të cilët patën krijuar një linjë mbrojtje, ashtuquajtur “Muri i Atlantikut”, me pika të fortifikuara në bregdet, që rezultuan krejtësisht të pavlefshme para provës së zjarrit; e ndoshta edhe nga bindja se zbarkimi do të bëhej në zonën “Calais”. U befasuan nga ai në Normandi.
Ç’rëndësi pati ai zbarkim për aleatët, sidomos për SHBA-të, që shkuan mijëra kilometra larg kufijve të tyre?
Përfaqësoi, jo vetëm për SHBA-të, por për të gjithë Evropën, bindjen se forca ushtarake dhe fuqia ekonomike amerikane po fillonte të kishte në planin ndërkombëtar një peshë, që s’njihej më parë. Në një farë mënyre, përgatiste edhe ekuilibrin, që do të vendosej pas luftës.
Vërtet, pas Luftës II Botërore, globi u nda më dysh: dy superfuqi, SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik, me vendet e tjera-satelitë të tyre: një luftë e ftohtë, që zgjati mëse 50 vjet e që, me sa duket, akoma nuk ka përfunduar; e mijëra viktima të komunizmit, që barazuan e tejkaluan ato të luftës së përgjithshme me armë, pa mundur as të protestonin për këtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.