2014-06-03 12:20:40

Ju kumtojmë lajmin e mirë


Në vijim të leximit të Ungjillit sipas Markut, kapitulli i tretë, do të shohim sot thirrjen e dymbëdhjetë apostujve. Sikurse Marku, edhe Mateu e Luka i kushtojnë një vëmendje të veçantë themelimit të kolegjit të apostujve. Në tërë Besëlidhjen e Re grupi i të Dymbëdhjetëve ka rol themelor. Jezusi, duke thirrur në mënyrë të veçantë këta bashkëkohës të vetët, që do të marrin emrin apostuj, tregon se lidhja e vet me njerëzimin nuk fillon dhe mbaron vetëm në personin e tij fizik, por përjetësohet në misterin e bashkësisë së të thirrurve, që është Kisha.RealAudioMP3
Ungjijtë na tregojnë çastet dhe rrethanat, në të cilat Jezusi thirri disa prej apostujve. Për shembull Pjetrin dhe Andrenë i thërret në bregun e liqenit të Galilesë, pas një nate të pasuksesshme peshkimi; Levin e thërret nga banka, ku mblidhte taksat; dy prej nxënësve të Gjon Pagëzuesit i fton të rrinë me të, pasi ata e pyetën ku banonte... Edhe pse koha dhe rrethanat, në të cilët i thërret apostujt, janë të ndryshme, duke i thirrur, i bashkon në një realitet të ri, të përbashkët, i cili do të marrë formë gjatë jetës tokësore të Jezusit dhe do të shugurohet në mënyrë përfundimtare në ditën e Rrëshajëve, pas Ngjitjes së tij në qiell.
Për këtë arsye, Marku, sikurse edhe Mateu e Luka, e shënojnë më vete themelimin bashkësisë së apostujve. Në kapitullin e tretë, vargjet 13-19, Marku rendit emrat e të dymbëdhjetëve, por më parë tregon solemnitetin me të cilin Jezusi e ndërmerr veprimin e themelimit të tyre: “U ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi” (v. 13). Nisma, nga e cila lind Kisha, nuk buron nga vendimi i njerëzve për të shkuar pas Jezusit, por nga thirrja, që Biri i Hyjit u drejton njerëzve për ta ndjekur. Kisha, edhe pse është thellësisht njerëzore, sepse përbëhet nga njerëz, si dymbëdhjetë apostujt e thirrur në rrethana krejtësisht normale, është edhe thellësisht hyjnore, sepse buron nga vendimi i Hyjit për t’i thirrur këta njerëz, “që të rrinë me të” (v. 14), “për t’i dërguar që të predikojnë dhe që të kenë pushtetin për të dëbuar djajtë” (v. 15).
Themelimi i të dymbëdhjetëve shënon zanafillën e popullit të ri të Hyjit, në Krishtin. Ky popull nuk lind dhe rritet me anë të gjakut dhe të trashëgimisë, por me anë të thirrjes. Në thirrjen nga ana e Hyjit qëndron edhe forca, me të cilën Kisha, nga ana e vet, i thërret njerëzit për t’ia hapur zemrën dhe mendjen lajmit të mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.