2014-05-29 14:12:25

Gjon Pali II: Letra drejtuar familjeve


Në rubrikën “Çelësi i fjalëve të Kishës”, do të fillojmë sot leximin e Letrës drejtuar familjeve, që Shën Gjon Pali II shkroi në vitin 1994, me rastin e Vitit të Familjes.RealAudioMP3 Zgjodhëm këtë shkrim, për të përshkuar, në shoqërinë e tij, udhën drejt dy Sinodeve që do t’i kushtohen kësaj teme, në tetor 2014 dhe 2015. Gjatë meshës së kanonizimit të Gjonit XXIII dhe Gjon Palit II, Papa Françesku pohoi: “Shën Gjon Pali II ka qenë Papa i familjes. Kështu tha ai vetë, një herë, se dëshironte të kujtohej: si Papa i familjes. Më pëlqen ta nënvizoj – vijon Papa Françesku – ndërsa po jetojmë ecjen sinodale për familjen dhe me familjet, një ecje që sigurisht nga qielli ai e shoqëron dhe e mbështet”. Disa numra, nga kjo letër e shkruar njëzet vjet më parë, do t’i lexojmë të plotë, disa të tjerë do t’i përmbledhim, duke u shpjeguar kontekstin.
Fillojmë sot me leximin e dy numrave të parë.
    Kremtimi i vitit të familjes më jep rastin e mirëpritur të trokas në derën e shtëpisë suaj, me dëshirën për t’ju përshëndetur me shumë dashuri dhe për të biseduar me ju. Po e bëj me anë të kësaj letre, duke u nisur nga fjalët e Enciklikës Redemptor hominis, që kam botuar ditët e para të shërbesës sime petrine. Atëherë shkrova: njeriu është udha e Kishës.

Me këtë shprehje synoja t’u referohesha para së gjithash rrugëve të larmishme nëpër të cilat ecën njeriu dhe, në të njëjtën kohë, doja të nënvizoja sa e fortë dhe e thellë është dëshira e Kishës për të ecur përkrah tij nëpër rrugët e ekzistencës tokësore. Kisha merr pjesë në gëzimet dhe në shpresat, në trishtimet dhe në mundimet e përditshme të njerëzve, thellësisht e bindur se në të gjitha këto shtigje e drejton Krishti vetë: Ai ia ka besuar njeriun Kishës; ia ka besuar si “rrugën” e misionit dhe të shërbesës së saj.
Familja – rruga e Kishës
    Ndër këto rrugë të shumëta, familja është e para dhe më e rëndësishmja: një rrugë e përbashkët, edhe pse mbetet e veçantë, e vetme dhe e papërsëritshme, sikurse është i papërsëritshëm çdo njeri; një rrugë prej së cilës qenia njerëzore nuk mund të shkëputet. Në të vërtetë, ai vjen në botë normalisht brenda një familjeje, prandaj mund të thuhet se ia detyron asaj vetë faktin e ekzistencës si njeri. Kur mungon familja, në njeriun që vjen në botë krijohet një mungesë shqetësuese dhe e dhimbshme, që më vonë rëndon mbi tërë jetën e tij. Kisha u rri afër me kujdes dhe dashuri atyre që jetojnë në rrethana të tilla, sepse njeh mirë rolin themelor, që familja është e thirrur të luajë. Ajo e di se normalisht njeriu del nga familja për të realizuar thirrjen e jetës. Deri edhe kur vendos të mbetet vetëm, familja mbetet, si të themi, horizonti i tij ekzistencial, si ajo bashkësia themelore, në të cilën vë rrënjë tërë rrjeta e marrëdhënieve të tij shoqërore, që nga më të drejtpërdrejtat e të afërtat deri tek më të largëtat. A nuk themi “familja njerëzore”, kur kemi ndër mend tërësinë e njerëzve, që jetojnë në botë?

Familja zë fill nga po ajo dashuri me të cilën Krijuesi përqafon botën e krijuar, siç është shprehur “në fillim”, në librin e Zanafillës (Zan 1,1). Jezusi, në Ungjill, e pohon në mënyrë supreme këtë gjë: “Hyji... aq shumë e deshi botën, sa dha Birin e vet të njëlindur” (Gj 3,16).
Biri i njëlindur, i njëgjëjtë me Atin, “Hyj prej Hyjit e Dritë prej Drite”, hyri në historinë e njerëzve nëpërmjet familjes: “Me anë të mishërimit, Biri i Hyjit është bashkuar, në një farë mënyre, me çdo njeri. Ka punuar me duar njeriu, ... ka dashur me zemër njeriu. Duke lindur nga Maria Virgjër, u bë me të vërtetë njëri prej nesh, i ngjashëm me ne në gjithçka, përveçse në mëkat”. Prandaj, nëse Krishti “ia zbulon plotësisht njeriun njeriut”, e bën duke filluar nga familja, në të cilën zgjodhi të lindte dhe të rritej. Dihet se Shpëtimtari ka kaluar pjesën më të madhe të jtës së tij në fshehtësinë e Nazaretit, “i nënshtruar” (Lk 2,51) si “biri i njeriut” ndaj Marisë, nënës së tij, dhe Jozefit, zdrukthëtar. Kjo “bindje” e tij prej Biri a nuk është shprehja e parë e bindjes ndaj Atit “gjer në vdekje” (Fil 2,8), me anë të së cilës e shpëtoi botën?
Prandaj, misteri hyjnor i mishërimit të Fjalës është i lidhur ngusht me familjen njerëzore. Jo vetëm me një familje, atë të Nazaretit, por, në një farë mënyre, me çdo familje, në analogji me sa pohon Koncili II i Vatikanit për Birin e Hyjit, i cili me anë të Mishërimit “është bashkuar në një farë mënyre me çdo njeri”. Duke ndjekur Krishtin e “ardhur” në botë “për të shërbyer” (Mt 20,28), Kisha e konsideron shërbimin ndaj familjes si jnërën ndër detyrat e saj thelbësore. Në këtë kuptim, si njeriu, ashtu edhe familja përbëjnë “rrugën e Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.