2014-05-22 13:16:05

Evangelii Gaudium - përfundimi


Thirrja apostolike Evangelii Gaudium përfundon me disa përsiatje të Papës Françesku mbi veprimin e mistershëm të të Ringjallurit dhe të Shpirtit të tij në Kishë, mbi forcën e lutjes së ndërmjetësimit dhe mbi rolin e Marisë në veprën e ungjillëzimit.RealAudioMP3
Zelli misionar fashitet përballë vështirësive dhe zhgënjimeve, që përjetohen për shkak të pengesave që i kundërvihen përhapjes së Ungjillit. Nëse të krishterët i zë trishtimi kronik dhe i mundon ndjenja e dështimit, atëherë duhet të kujtojnë se “Krishti e ka mundur mëkatin e vdekjen dhe është plot me fuqi. Jezu Krishti është vërtet i gjallë” (n. 275). “Ringjallja e tij nuk është diçka që i përket së shkuarës; ajo përmban forcën e jetës, që ka depërtuar në botë” (N. 276)
Padrejtësitë, ligësitë dhe kobet që bien mbi njerëzit në botë, krijojnë përshtypjen se Hyji nuk ekziston, por duhet të kujtojmë se “në mes të errësirës fillon gjithmonë të çelë diçka e re, që herët a vonën jep fryte” (n. 276). Nga dramat e historisë lindin çdo ditë bukuritë e reja, falë forcës së ringjalljes.
Është e kuptueshme, nëse ndjejmë, për një çast, lodhjen përballë përvojave dramatike të përsëritura, por nuk duhet të lejojmë të jetojmë me ndjenjën e pakënaqësisë kronike, sikurse nuk duhet të kërkojmë karrierizmin, çmimet, postet, miratimin e të tjerëve. Në veprën e ungjillëzimit duhet të shtyhemi nga feja, që do të thotë “të besojmë në Zotin, të besojmë se ai na do me të vërtetë, se është i gjallë dhe i aftë të ndërhyjë në mënyrë të mistershme, se nuk na braktis dhe se, me fuqinë dhe forcën e pashtershme krijuese, nxjerr të mirën nga e keqja” (n. 278).
Sa herë që na duket se e keqja ka zënë rrënjë, duhet të kujtojmë ringjalljen e Krishtit, e cila “prodhon në çdo vend filizat e botës së re. Edhe nëse ata priten, bulojnë përsëri, sepse ringjallja e Zotit ka depërtuar tashmë në fillin e fshehur të kësaj historie, se Jezusi nuk është ringjallur më kot” (n. 278).
Për këtë gjë i krishteri ka një siguri shpirtërore, që quhet edhe “ndjenja e misterit”. Nëse jemi të edukuar me këtë ndjenjë, e dimë mirë se “misioni nuk është një veprimtari apo një projekt sipërmarrës, nuk është as një organizatë humanitare, nuk është shfaqje, ku numërojmë sa njerëz kanë marrë pjesë, falë propagandës sonë; është diçka shumë më e thellë, që nuk matet me asgjë” (n. 279).
Në veprën e ungjillëzimit ka vlerë themelore lutja e ndërmjetësimit, sepse na shtyn të kërkojmë të mirën e tjetrit. Shën Pali na jep një shembull që duhet ta mbajmë parasysh gjithmonë, në letrën drejtuar Filemonit “Gjithmonë, kur lutem për të gjithë ju, lutem me gëzim, sepse ju mbaj në zemër” (1,4.7). “Burrat dhe gratë e mëdha të Hyjit – shkruan Papa – kanë qenë ndërmjetësues të mëdhenj. Ndërmjetësimi është si tharmi në gjirin e Trinisë” (n. 283).
Një figurë shumë e rëndësishme në jetën e të krishterëve është Maria, nëna e Jezusit, që është edhe nëna e ungjillëzimit. Ajo është dhurata e Hyjit për popullin e vet. Jezusi ia dhuroi Kishës Marinë si nënë, kur, nga kryqi, i tha Gjonit: “Ja nëna jote”, sepse “Zotit nuk i pëlqen që Kishës së tij t’i mungojë ikona femërore” (n. 285). Maria është ajo që di ta shndërrojë një stallë kafshësh në shtëpinë e Jezusit, “me pak garza e një mal me butësi” (n. 286). Ajo ecën me ne, lufton me ne dhe na dhuron pandarë afërsinë e dashurisë së Hyjit. “Nëpërmjet devocioneve të ndryshme mariane, që kryesisht lidhen me ndonjë shenjtërore, hyn në fatet e çdo populli që e ka marrë Ungjillin dhe bëhet pjesë e identitetit të tij historik” (n. 286).
Në veprën ungjillizuese të Kishës gjendet stili marian, sepse “sa herë që shikojmë kah Maria, besojmë përsëri në forcën revolucionare të butësisë dhe të dashurisë” (n. 288).
Duke e përfunduar thirrjen apostolike Evangelii Gaudium, Papa Françesku i drejtohet Marisë me një lutje, që përfundon me këto fjalë:
O Yll i ungjillëzimit të ri, na ndihmo të shkëlqejmë në dëshmimin e bashkimit, të shërbimit, të fesë së flaktë dhe bujare, të drejtësisë dhe të dashurisë për të varfrit, që gëzimi i Ungjillit të arrijë deri në skajet e tokës dhe asnjë periferi të mos mbesë pa dritën e tij.
O Nëna e Ungjillit të gjallë, burim gëzimi për të vegjlit, lutu për ne. Amen. Aleluja.








All the contents on this site are copyrighted ©.