2014-05-18 16:27:30

Thirrje e përbashkët e kardinalit Toran dhe princit Bin Talal, për më shumë solidaritet në botë


Roli themelor i familjes dhe i shkollës në formimin e fëmijëve, vlera e edukimit fetar, vlerësimi i dinjitetit njerëzor, respekti për lirinë fetare, bindja se jo feja, por çnjerëzimi e injoranca janë shkaqet e vërteta të konflikteve! Këto, disa nga pikat e dokumentit të përbashkët për më shumë solidaritet në botë, nënshkruar, të mërkurën e kaluar, në Jordani, nga kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe princi El Hasan Bin Talal, themelues i Institutit Mbretëror të studimeve ndërfetare, më pak se një javë para arritjes së Papës Françesku në Aman, ku do të jetë më 24 maj.

Pjesëmarrësit në takimin me temën e edukimit, dënuan ashpër çdo formë dhune dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të studenteve të rrëmbyera në Nigeri. U botua, më në fund, një dekalog kulturor, siç e pohon, në mikrofonin tonë, vetë kardinali Toran:

Përgjigje: - Këto tri ditë kaluan në një atmosferë jashtëzakonisht miqësore e të sinqertë, e kjo dëshmon se dialogu ndërfetar nis gjithnjë me miqësinë, me dëshirën për t’u njohur, për t’u dashur. Tema e përgjithshme, siç e dini, ishte: “Si t’u përgjigjemi sfidave të sotme, përmes edukimit”. Ngulmova mbi rolin e pazëvendësueshëm të familjes, të shkollës, të universitetit. Rëndësi ka që ky takim përfundoi me botimin e një “Dekalogu të Kulturës”, që e fton çdo njeri të mos heqë kurrë dorë nga kureshtja intelektuale, të jetë i përvuajtur e jo intelektualisht arrogant, të ruajë gjithnjë pavarësinë intelektuale, përballë cektësisë së botës së sotme, të ketë shumë kujdes për jetën shpirtërore e ta konsiderojë pluralizmin si pasuri e jo si kërcënim.

Më poshtë, botojmë Dekalogun - “Dhjetë Urdhërimet” për të gjithë ata, që kanë të bëjnë me fushën e edukimit:

1. Mos hiqni kurrë dorë nga kureshtja intelektuale;
2. Kini guxim intelektual, jo poshtërsi intelektuale;
3. Jini të përvuajtur e jo intelektualisht arrogantë:
4. Praktikoni empatinë intelektuale, në vend të mendësisë së mbyllur;
5. Respektoni integritetin intelektual;
6. Ruajeni pavarësinë tuaj intelektuale;
7. Kini mendjen, përballë cektësisë, që ju rrethon;
8. Kini besim në arsyen;
9 Jini të ndershëm e jo intelektualisht të pandershëm;10. Shikojeni pluralizmin si pasuri, jo si kërcënim!







All the contents on this site are copyrighted ©.