Dhuna kundër të krishterëve: 241 raste në Evropë, në vitin 2013
133, rastet e vandalizmit kundër vendeve të kultit të krishtera, në 11 shtete evropiane.
Duket e pabesueshme që edhe në Evropën “e krishterë” të ketë veprime të tilla, por
llogaria është bërë nga Observatori i intolerancës dhe i diskriminimit kundër të krishterëve
në Evropë, në Raportin e tij 2013, që i referohet vitit të kaluar. Në tërësi, janë
241, rastet e intolerancës kundër të krishterëve, në fushën e së drejtës, në politikë,
në art e në mass media. Gjatë viteve të fundit, Observatori ka numëruar një sasi të
jashtëzakonshme rastesh vandalizmi kundër të krishterëve, por nuk ekziston mundësia
e krahasimit me raportet e qeverive evropiane, për shkak se ato nuk bëjnë klasifikime
sipas fesë. Në Raportin 2013 të sapopublikuar, të dhënat, megjithëse të kufizuara,
tregojnë se incidentet e lidhura me urrejtjen kundër të krishterëve në Evropë, janë
në rritje. Intoleranca kundër tyre në fushën ligjore dhe në politikë, vihet në dukje
në analizën e Observatorit, ka të bëjë me kufizimet në lirinë e ndërgjegjes, të fjalës,
në politikat diskriminuese, në kufizimin e së drejtës së prindërve në lëndën e edukimit
seksual të fëmijëve, madje edhe në lirinë e mbledhjes. Raporti citon 41 ligje
të 14 shteteve evropiane, që i pengojnë të krishterët të dëshmojnë lirisht fenë e
tyre. Shprehjet artistike dhe mass media, përfshirë internetin, po kthehen në një
terren të ri intolerance kundër të krishterëve. Janë regjistruar 15 raste në 6 vende
të Evropës, në të cilat mungon respekti për fenë e Krishtit e për ata, që e ndjekin.
Gudrun Kugler, drejtoreshë e Observatorit shpjegon: “Shoqëria, përherë e më e shekullarizuar
e Evropës, ka gjithnjë e më pak hapësirë për krishterimin. Disa qeveri e disa protagonistë
të shoqërisë civile përpiqen të përjashtojnë, në vend që të pranojnë. Na sinjalizohen
shumë raste intolerance kundër të krishterëve. Përmes kërkimit, dokumentimit dhe publikimit
të këtyre rasteve, shpresojmë t’i bëjmë njerëzit të vetëdijshëm për problemin. Ky
është hapi i parë drejt gjetjes së zgjidhjes”.