2014-04-24 12:11:44

Papa: Të krishterët nuk duhet të kenë frikë nga gëzimi i ringjalljes


Ka të krishterë që kanë frikë nga gëzimi i ringjalljes, që Jezusi dëshiron të na japë, dhe jeta e tyre duket si një funeral, por Zoti i ringjallur është gjithmonë me ne. Kështu pohoi Papa gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës:
Ungjilli i liturgjisë së sotme tregon paraqitjen e Krishtit të ringjallur para nxënësve. Përballë urimit të paqes së Zotit, nxënësit, në vend që të gëzohen – tha Papa gjatë homelisë – “tronditen dhe tremben”, duke menduar se “po shikonin një fantazmë”. Jezusi përpiqet t’i bëjë të kuptojnë se ajo që shohin është realitet, i fton ta prekin trupin e tij, kërkon t’i japin diçka për të ngrënë. Dëshiron t’i çojë drejt gëzimit të ringjalljes, drejt gëzimit të pranisë së tij mes tyre. Por nxënësit – vëren Papa – “nga gëzimi, nuk besonin, nuk mund të besonin, sepse kishin frikë nga gëzimi”:
“Kjo është një sëmundje e të krishterëve. Kemi frikë nga gëzimi. Është më mirë të mendojmë: ‘Po, po, Hyji ekziston, por është atje; Jezusi është ringjallur, është atje’. E mbajmë një farë largësie. Kemi frikë nga afërsia e Jezusit, sepse na jep gëzim. E kështu shpjegohet pse ka shumë të krishterë funeralesh, apo jo? Jeta e tyre duket si një funeral i vazhdueshëm. Pëlqejnë trishtimin dhe jo gëzimin. Lëvizin më mirë jo në dritën e gëzimit, por në errësirë, si ata kafshët, që mund të dalin vetëm natën, por jo ditën, se nuk shohin fare. Si lakuriqët e natës. E me një ndjenjë humori mund të themi se ka të krishterë lakuriqë nate, që parapëlqejnë hijet më shumë se dritën e pranisë së Zotit”.
Por, “Jezusi, me ringjalljen e tij – vijoi Papa – na jep gëzimin: gëzimin e të qenit të krishterë; gëzimin ta ndjekim nga afër; gëzimin për të ecur në rrugën e lumnive, gëzimin e të jetuarit me të”:
“Dhe ne, shpesh herë, ose tronditemi, kur na vjen ky gëzim, ose na zë frika, ose mendojmë se po shohim një fantazmë, ose mendojmë se Jezusi është një mënyrë të vepruari: ‘Po ne jemi të krishterë e duhet të veprojmë kështu!’. Po ku është Jezusi? ‘Jo, Jezusi është në qiell’. Ti, a flet me Jezusin? Ti, a i thua Jezusit: ‘Unë besoj se ti je i gjallë, se ti je ringjallur, se ti je afër meje, se ti nuk më braktis’?. Jeta e krishterë duhet të jetë kjo: dialog me Jezusin, sepse – kjo është e vërtetë – Jezusi është gjithmonë me ne, është gjithmonë me problemet tona, me vështirësitë tona, me veprat tona të mira”.
Sa herë – tha në fund Papa Françesku – ne të krishterët “nuk jemi të hareshëm, sepse kemi frikë!”. Të krishterë “të mposhtur” në kryq:
“Në atdheun tim ka një shprehje, që thotë kështu: ‘Kur dikë e djeg qumështi i nxehtë, kur sheh lopën, e zë vaji’. Këta i kishte djegur drama e kryqit, prandaj kanë thënë me vete: ‘Jo, të ndalemi këtu; Ai është në qiell. Po, në rregull, është ringjallur, por të mos vijë më këtu, se nuk ia dalim dot’ T’i lutemi Zotit, që të bëjë me të gjithë ne çfarë bëri me nxënësit, të cilët kishin frikë nga gëzimi: të na e hapë mendjen: ‘Atëher ua hapi mendjen, për të kuptuar Shkrimet’. Të na e hapë mendjen dhe të na bëjë të kuptojmë se ai është një realitet i gjallë, se e ka një trup, se është me ne, se na shoqëron dhe se ai ka fituar. T’i kërkojmë Zotit hirin që të mos kemi frikë nga gëzimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.