2014-04-24 12:43:38

Në spitalin e Krishtit Fëmijë, relikja e gjakut të Gjon Palit II


Do të ekspozohet të shtunën e të dielën në kapelën e spitalit të Krishtit Fëmijë në Romë, relikja e gjakut të Gjon Palit II dhe kësula e Gjonit XXIII, dy papë, që do të shpallën shenjtorë të Kishës Katolike, të dielën, më 27 prill.
Ampula me gjakun e Gjon Palit II ruhet në kapelën e Spitalit Pediatrik të Selisë së Shenjtë, që nga vdekja e të Lumit. Në ditët e fundit të sëmundjes, personeli mjekësor i mori Papës gjak për ta vënë në dispozicion të Shërbimit Imunotransfuzional të këtij spitali, për një transfuzion të mundshëm, nëse do të ishte i nevojshëm. Meqë transfuzioni nuk u krye ndonjëherë, gjaku i Papës u ruajt në katër ampula: dy prej tyre iu dhanë Sekretarit të veçantë të Atit të Shenjtë, kardinalit Stanislau Xhivish, ndërsa dy të tjerat u ruajtën me devocion në Spitalin e Krishtit Fëmijë.
Me rastin e lumnimit të Papës polak, gjaku u sistemua në dy relikuarë. I pari, ruhet në “Sakrarin” e Zyrës së kremtimeve liturgjike të Atit të Shenjtë, së bashku me relike të tjera të rëndësishme. I dyti iu dha Spitalit “Bambin Gesù”. Gjaku është i lëngshëm për shkak të antikoagulantëve, që janë vënë në epruvetë, në çastin e marrjes.
Kujtojmë se Gjon Pali II i vizitoi pacientët e vegjël më 7 janar 1979, por vizita e parë e një pape në këtë spital është ajo e Gjonit XXIII, më 1958 dhe më 1962. Së bashku me ampulën e Karol Vojtilës, pikërisht për këtë arsye, do të ekspozohet po të shtunën e të dielën, edhe kësula e Anxhelo Ronkalit, që “Papa i Mirë” e pati vendosur për lojë në kokën e një vogëlushi të sëmurë. Me rastin e shenjtërimit të dy papëve, urgjenca e spitalit të Krishtit Fëmijë do të qëndrojë hapur për t’u shërbyer shtegtarëve të shumtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.