2014-04-24 12:11:29

Gjoni XXIII: Nëna


Më 23 janar Kisha kremtonte, asokohe, Martesën e Shën Jozefit me Zojën e Bekuar. E Papa Gjoni kujtonte: “Kjo datë më bën të dëgjoj zërin e dashur të tim eti, që më thoshte: ‘Sot, martesa e Marisë me Jozefin e po sot, martesa e Batista Ronkalit me Maria Maxolën’, prindër të lum e shumë të mirë të dymbëdhjetë fëmijëve, gjashtë meshkuj e gjashtë femra”. Ishte viti 1877 kur u martuan. Për muajin e mjaltit, Batistës e Marianës u mjaftoi një ditë e vetme. E kremtuan duke shkuar në këmbë deri në Bergamo (16 kilometra larg), për t’u rikthyer vetëm disa orë më pas.
“Beniamin, nëna si imja dhe e jotja, nuk gjinden në botë! Imja, e dhënë pas kuzhinës, jotja, pas kafshëve të stallës, po kur kryenin punë, rendnin të dyja për të ndihmuar të tjerët”. Janë fjalët, që Papa Gjoni ia thoshte të kushëririt, Beniaminit, gjatë një takimi në Kastel Gandolfo. Na kujtojnë jetën e thjeshtë e të varfër të kësaj familjeje të krishterë. Papa e kishte gjithnjë pranë fotografinë e nënës, së bashku me atë të të dashurve të tjerë e, duke soditur atë fytyrë të qeshur, shkruante “Ç’nënë! Ç’ndjenja të thjeshta e të pastra dashurie e nderimi, të pacënuar deri në moshë të shtyrë, patën për të fëmijët e saj të shumtë e mbarë famullia”.
Prift prej pak muajsh, duke dashur të niset për studime në Romë e duke e ditur se e ëma dëshironte dridhshëm ta kishte pranë, i shkruante: “Kush është njeriu më i dashur për mua mbi këtë dhe, veç jush? Edhe sikur të isha bërë prind, për mua do të mbeteshi përgjithnjë gruaja më e madhe në këtë botë, më e dashura, në zemrën e birit tënd. Mos e vini kurrë në dyshim dashurinë time e kujtimin tim për ju. Largësia, më besoni, nuk e ligështon, por e bën edhe më të fortë, më të fisme e më delikate dashurinë bijnore. E ndjej fort në shpirt. Çdo mëngjes, në Meshë, kur ia porosis Zotit njerëzit më të dashur, e para që më bie në mend jeni gjithnjë Ju, njëheresh me babanë. Mendoj gjithnjë për punët tuaja, trazirat tuaja. E ju shoqëroj me zemër; dëshiroj të shkrihem, veç për t’ju parë të kënaqur” (Romë, 1 janar 1905).
Kur u bë Papë, kujtonte gjestet e heshtura të së ëmës: “Ishim të varfër, por të kënaqur nga jeta jonë e plot besim në ndihmën e Provanisë Hyjnore. Në sofrën tonë nuk kishte kurrë bukë: vetëm kaçamak. Të rinjve e fëmijëve nuk u jepej kurrë verë. Rrallë hanim mish. E një thelë të hollë ëmbëlsire, gatuar në shtëpi, vetëm për Pashkë e për Krishtlindje. Sa për veshjet: këpucët për të shkuar në Kishë duhet të përdoreshin për vjet e vjet…E pra, kur ndonjë lypës i afrohej kuzhinës sonë, ku rreth 20 vetë prisnin padurim kusinë e çorbës, nuk mungonte kurrë një vend për të panjohurin, që trokiste papritur e që nëna e ftonte gjithë gëzim të ulej pranë nesh.
Shenjtërore fshatare e Nënmalit ishte kisha kushtuar “Zojës së Kanevës”, me hajatin e freskët, mbajtur nga katër shtylla. Duke folur me bashkëfshatarët, që kishin ardhur ta takonin në Romë, më 29 tetor 1959, Papa kujtoi si e kishte shoqëruar e ëma ‘për të parë Zojen’, kur ishte vetëm 4 vjeç. Nëna, duke ngritur fëmijën në krahë, i tregonte me gisht, përmes hekurave të dritares, figuren e ëmbël të Marisë e i thoshte: “Shikoje Marinë, biri im. Sa e bukur është!”.
Rrënjët e thella të krishtera, që Anxhelo Ronkali i gjeti në shpirt të vet, ia dhuruan nëna dhe mbarë familja e tij, të cilën ai e kujtonte kështu: “Shtëpia Ronkali kishte 30 gojë për të ushqyer, tri herë në ditë. Por për gjithçka mendonte vetë i Lumi Zot. Mendonin arat e mbjella mirë me grurë, mendonte vreshti; mendonin bagëtitë në stallë. Mendote frika e Zotit, që ruante rendin, paqen e një jete kolektive, të zënë me punën e mirë, kryer me respekt të anasjelltë, me paqe të patrazuar shtëpijake e të krishterë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.