2014-04-24 12:12:48

Deklaratë e Drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë


Këto ditë, në shtyp, është folur shumë për një telefonatë personale të Papës Françesku me një grua në Argjentinë, e cila ankohej se prifti i famullisë së vet nuk i jepte Sakramentin e Kungimit, për shkak se është e martuar me një të divorcuar. Me sa informon i shoqi në Facebook – fjalë të marra më pas nga shtypi – Ati i Shenjtë e ka ngushëlluar gruan, duke i thënë se ky problem është më i përgjithshëm dhe po diskutohet në Vatikan. Sot, zëdhënësi i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi në një komunikatë zyrtare sqaron:
“Janë bërë disa telefonata, në kuadrin e marrëdhënieve personale baritore të Papës Françesku. Duke mos qenë absolutisht veprimtari publike e Papës, nuk duhen pritur informacione, ose komente nga ana e Sallës së Shtypit. Ç’është bërë e njohur në këtë drejtim, duke dalë nga kuadri i marrëdhënieve personale e si pasojë, duke u amplifikuar nga media, nuk mund të konfirmohet si e besueshme dhe është burim keqkuptimi e konfuzioni. Prandaj, nga kjo ngjarje, duhet shmangur nxjerrja e pasojave përsa i përket mësimeve të Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.