2014-04-23 13:12:17

Thirrje e Papës për punëtorët e Lukinit: të bëhet çdo përpjekje për të rindezur shpresën


Në përfundim të audiencës së përgjithme, Papa bëri thirrje për punëtorët e Lukinit.Dje, kujtoi, mora një video-thirrje nga ana e punëtorëve të uzinave të çelikut Lukini të Piombinos, nisur pak para mbylljes së furrënaltës, që më preku thellë në shpirt. U emocionova fort.
Të dashur punëtorë, vëllezër të dashur, mbi fytyrat tuaja pikturohej trishtimi i thellë dhe shqetësimi i etërve të familjeve, që kërkojnë vetëm të drejtën të punojnë për të jetuar me dinjitet, për t’i mbajtur, për t’i ushqyer e për t’i edukuar fëmijët e tyre. Ju siguroj për afërsinë e për lutjen time: mos e humbisni guximin, Papa është pranë jush e lutet për ju që, nëse shuhet shpresa njerëzore, të mbetet gjithnjë e ndezur shpresa hyjnore, e cila nuk të zhgënjen kurrë. Të dashur punëtorë, vëllezër të dashur, ju përqafoj vëllazërisht, ndërsa gjithë atyre, që kanë përgjegjësi për jetën tuaj, u kërkoj të bëjnë çdo përpjekje të mundshme, me frymë krijuese e bujare, për ta rindezur shpresën në zemrat e këtyre vëllezërve e edhe në zemrën e gjithë njerëzve të papunë, për shkak të shpërdorimeve e të krizës ekonomike. Ju lutem, hapini mirë sytë e mos rrini duarkryq!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.