2014-04-23 13:40:04

Siri. Gregori III: rënimi i kishave të Maalulës, krim i vërtetë


Shkatërrimi i kishave të Maalulës është përkufizuar nga patriarku greko-melkit katolik i antiokisë Gregori III Laham “krim i mirëfilltë lufte”. Patriarku shkoi të dielën në fshatin historik të të krishterëve, të cilin ushtria siriane e çliroi nga forcat e frontit islamik “Al-Nosra”. “Është misteri i së keqes, të cilin e shohim në verpim”, tha patriarku, i cili mezi gjeti fjalët për të shprehur hidhërimin përballë pamjeve të shkretimit.
Patriarku greko-katolik e vizitoi fshatin bashkë me patriarkun greko-ortodoks Youhanna Yazigi dhe me përfaqësuesit e patriarkateve siriako-ortodokse, armeno-ortodokse dhe siriako-katolike, në shoqërinë e disa gazetarëve dhe të punonjësve të sigurisë. Në të njëjtën ditë u takua me kreun e shtetit sirian, i cili gjithshtu kishte shkuar për të vizituar fshatin e rrënuar. “Na u paraqit një shfaqje apokaliptike. Në Siri janë rrënuar edhe kisha të tjera, por nuk kisha parë kurrë diçka të tillë. Më zuri vaji dhe kërkova më kot një vend të vetmuar për t’u lutur. Jam i dërrmuar”, tha prelati i lartë.
“Janë rrënuar të katra kishat historike të Maalulës. Muret e kishës së famullisë sonë, kushtuar shën Gjergjit, janë shpuar gjithandej. Kupola e kuvendit është çarë në dy vende dhe disa pjesë rrezikojnë të shemben, prandaj duhen rindërtuar. Ikonat i kanë hedhur përtokë, i kanë ndotur ose vjedhur dhe ndërtesa është e pabanueshme”. “Në kuvendin e Shën Sergjit dhe Bakut, altari historik pagan, i shuguruar si altar i krishterë, i vetmi i llojit të vet, është çarë më dysh”. E njëjta shfaqje shkretimi del para sysh edhe në Kishat e Shën Elisë dhe Teklës, që i përkasin patriarkatit greko-ortodoks.
Gregori III mendon se shkatërrimi i Maalulës është “krim i organizuar” dhe “krim i mirëfilltë lufte”. Karta e Londrës (1946) përkufizon si krime lufte “plaçkitjen e të mirave publike ose private, shkatërrimin pa arsye të qyteteve dhe fshatrave ose shkretimin pa arsye ushtarake”. Me hidhërim në zemër, Gregori III e akuzon botë perëndimore se është e verbër ndaj të vërtetës së luftës në Siri. Sipas tij nuk gjendemi aspak përballë një “lufte siriane” apo një “lufte civile”. Sigurisht, një pjesë e luftës është mes myslimanëve, por nuk është luftë e islamit me krishtërimin. Është “krim i organizuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.