2014-04-23 13:40:18

Lumnimi i Atë Giuseppe Girotti-t: vdiq në kampin e Dachau-t, sepse ndihmoi hebrenjtë


Të shtunën e ardhshme do të lumnohet në Alba (Italia veriore) Atë Giuseppe Girotti, meshtar i Urdhrit të Predikatarëve. Kardinali Giovanni Coppa, nga Alba, do të përfaqësojë Atin e Shenjtë në këtë kremtim. Atë Girotti qe njëri nga 1500 meshtarët e vdekur në kampin e Dachau-t.
U lind në Alba më 15 korrik 1905, në një familje shumë të varfër dhe u shugurua meshtar në urdhrin e Domenikanëve më 1930. Në vitet 1932-1934 thelloi studimet biblike në Jeruzalem, ndërsa titullin e mbrojti në Romë, para Komisionit Papnor Biblik. Qe profesor i Shkrimit të Shenjtë deri më 1939, vit në të cilin regjimi fashist e vuri në shenjestër për shkak të bindjeve anifashishte.
Me pushtimin gjerman të Italisë, pas 8 shtatorit 1943, gjendja e hebrenjve u bë dramatike. Urdhri i 30 nëntorit i Republikës Shoqërore vendosi arrestimin e menjëhershëm dhe internimin e të gjithë hebrenjve. Atë Girotti nuk u tërhoq nga detyrimi moral për të ndihmuar hebrenjtë e përndjekur.
Nazifashistët e zunë në kurth me një telefonatë. I kërkuan të shoqëronte për në shtëpinë e të atit të birin e një profesori hebre, i cili kinse ishte plagosur. Doli nga kuvendi më 29 gusht 1944 dhe nuk u kthye më. Më 9 tetor 1944 e çuan në kampin e Dachau-t. Këtu u ushqye me leximin e Biblës, të cilën ia dha një pastor protestant. Në dhjetor të atij viti në kamp ra një epidemi, që e preku. E shtruan në infermerinë e kampit, ku vdiq menjëherë, gjë që ngjalli dyshime për vrasje me injeksion. Fjalët e fundit, që tha, ishin fjalët e Zbulesës: “Marana tha. Eja, o zot Jezus!”. Ishin pashkët e 1 prillit 1945. Një dorë e panjohur shkruajti me lapës pranë shtratit të tij: Shën Giuseppe Girotti. Në regjistrin e Dachau-t është shkruar: “Arsyeja e arrestimit: ndihmoi hebrenjtë”. Nazistët ia hodhën kufomën në varrin e përbashkët të Leitenbergut.








All the contents on this site are copyrighted ©.