2014-04-23 13:39:52

Kardinali Parolin: Papa do të ndërhyjë sa herë që të kërcënohet paqja


“Sa herë që të kërcënohet paqja”, Papa “do të veprojë me anë të fjalës”. Kështu pohoi Sekretari i Shtetit, Kardinali Parolin, në një intervistë botuar në librin “Papët e paqes. Trashëgimia e shenjtorëve Roncalli e Wojtyla për Papën Françesku”, me autorë Nona Fabrizio e Fausto Gasparroni. Në pjesën e intervistës botuar në Osservatore Romano, Kardinali pohon se Françesku do të ndërhyjë pa frikë nga “rreziku i instrumentalizimit dhe mbi të gjitha duke treguar shkaqet e dhunës dhe të luftrave. Këtë do ta bëjë për të dëshmuar dashurinë për paqen, ndoshta edhe duke shkuar vetë në vendet në konflikt.
Kardinali vëren se “Papa Françesku do të veprojë sipas ndjeshmërisë së tij dhe do të gjejë gjestet më të dobishme dhe ndoshta më befasues (për të mos thënë “bezdisëse” për sytë e ndokujt, të cilit do t’i pëlqente të mendonte se “kemi bërë gjithmonë kështu”), për ta bërë të dukshme praninë e tij dhe kujdesin e tij për paqen.
Pastaj një mendim për udhëtimin e Papës në Tokën e Shenjtë në maj. Sipas sekretarit të Shtetit “çdo Papë, që shkon në Tokën e Shenjtë, shkon si ‘shtegtar i paqes’ dhe nuk mund të jetë ndryshe. Sigurisht, udhëtimi do të ketë edhe një vështrim politik dhe nuk do të mungojnë përpjekjet e atyre që duan ta përdorin për çështjen e vet. Por, edhe duke përdorur tërë urtinë e mundshme, nuk duhet të kemi frikë se shenja e paqes do të lexohet në mënyrë të shtrembëruar. Nuk themi asgjë të re, nëse pohojmë se konflikti i pasosur në Tokën e Shenjtë ka krijuar një gjendje të përhershme të paqëndrueshme, dhe jo vetëm në rajon, simbol i paaftësisë për të realizuar paqen e vërtetë. Nëse udhëtimi i Papës do të mund të shtonte një gur në ndërtimin e kësaj paqeje, kjo mjafton për të shkuar në atë rajon të stërmunduar. Emri i Jeruzalemit do të thotë: ‘qyteti i paqes’. Fatkeqësisht duket se është bërë simbol i konfliktit dhe i një lufte pa fund”.
Për zgjidhjen e konfliktit, shton Sekretari i Shtetit, “OKB-ja është një organizatë e dobishme dhe, me gjithë të metat, është më mirë të ekzistojë se të mos ekzistojë”. Por, përfundon Kardinali, OKB-ja “ka nevojë për një reformë, të cilën e kërkojnë shumë palë, por që nuk është e lehtë të realiziohet. Bota ka ndryshuar shumë që nga krijimi i OKB-së, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Nuk është e lehtë t’i jepet një pushtet i mirëfilltë për ruajtjen e paqes (misioni i saj themelor!), pa e vënë këtë pushtet në duart e vetëm disa prej vendeve anëtare. Një OKB vërtetë e fortë, por demokratike, do të ishte një bekim për të gjithë.








All the contents on this site are copyrighted ©.