Anxhelo Gjuzepe Ronkali lindi në Sotto il Monte, Nënmal, në shqip (sot Nënmali Gjoni
XXIII), gjashtëmbëdhjetë kilometra larg Bergamos. Asokohe fshati me ndonja njëmijë
banorë, shpërndarë në dhjetë lokalitete, me emra ekzotikë: Brusicco; La Gerole, La
Zandona, Camaitino, Bercio... njihej pak e aspak. Shtëpitë të rralla, shkapërhapeshin
mbi pjerrësitë, që ngjiteshin drejt Paralpeve, ndërmjet Brembos e Addës. Postieri
trokiste rrallë në portat e shtëpive të fshatit: vetëm kur kishte thirrje për shërbim
ushtarak, a formulare për pagimin e taksave. Në shtëpinë e Ronkalëve sillte çdo muaj,
në emër të xhaxha Saverit, Buletinin salezian dhe Leximet katolike, që dom Bosko ia
dërgonte, nga Torino, miqve të veprave të tij në ndihmë të të rinjve. Lokaliteti,
ku banonin Ronkalët, ishte Brusicco, një grumbull i vogël shtëpish. Shtëpia e madhe,
që quhej pallat, ishte pronë e kontëve Morlani (Ottavio, Guido, Maria e Don Giovanni)
të Bergamos. Një pjesë e saj, së bashku me 5 hektarë truall, u qe lëshuar, si gjysmatarë,
Ronkalëve. Dy trungje familjare: ai i Giovanni Batistës (me 12 fëmijë) dhe ai të kunatit,
Gjuzepe (me 11 fëmijë). Jetonin së bashku, si familje e madhe patriarkale. Së bashku
punonin tokën, kujdeseshin për stallën, uleshin rreth sofrës. Me ta jetonte gjyshi,
Anxhelo dhe vëllai më i madh i babait, Saveri, “xhaxhai” që, kur lindi Anxhelo, ishte
rreth të gjashtëdhjetave. Nuk qe martuar e punonte tokat e kontëve Morlani. Respektohej
nga të gjithë si kryetar i kësaj familjeje të madhe.