2014-04-23 15:54:54

Gjon Pali II: Të jesh meshtar, sot


“Që kur e pata njohur, në kohën kur jepte mësim në seminar, më pati dhënë idenë e shenjtit. E u binda edhe një herë, duke i qëndruar afër, kur e shihja të lutej e, sidomos, kur kremtonte Eukaristinë”. Fjalët e kardinalit Stanislau Xhivish, marrë nga libri “Kam jetuar me një shenjt”, që po shfletojmë së bashku këto ditë, prekin një temë tjetër nga jeta e Papës Gjon Pali II, që do të shpallet shenjt të dielën, më 27 prill: ç’do të thotë të jesh meshtar. I intervistuar nga gazetari Gian Franco Svidercoschi, kardinali Xhivish, sekretar personal i të Lumit Karol Vojtila, vazhdon të përshkruajë gjendjen shpirtërore të Papës së ndjerë, ndërsa lutej ose kremtonte meshën.RealAudioMP3
“Kuptohej mirë që nuk ishte thjesht çasti qendror i çdo dite për të, më i shenjti, por ishte nevojë e thellë e shpirtit të tij. Përgatitej për meshë në heshtje, i përqendruar. Gjatë atyre çasteve nuk donte të fliste me askënd, përveçse kur ishte absolutisht e domosdoshme. Zemra dhe mendja e tij ndodheshin në një botë tjetër, në bisedë me Zotin. E, pas çdo meshe, rrinte për 15 minuta në lutje falenderimi.
Kështu, duke jetuar krah tij, e kuptova thellësisht se ç’do të thotë të jesh meshtar. Meshtar, i konceptuar si njeri i Fjalës së Zotit, i sakramenteve, i misterit të fesë. Pra, meshtarì, jo si përkatësi në një klasë, në një kastë, por si zgjedhje për jetën, frymëzuar nga radikalizmi ungjillor. Meshtarì si prani në popullin e Hyjit, si dëshmi transparente, domethënë e besueshme, e Krishtit dhe e Ungjillit të Tij. Pa frikën se mos shkon kundër rrymës, se mos thua fjalë të ndryshme nga ato, që të imponon kultura dhe moda e kohës.
Me një fjalë, thoshte gjithnjë Karol Vojtila, kryeipeshkvinjtë, meshtarët, për faktin se janë gjithnjë në kontakt me shenjtërinë e Zotit, nuk mund të mos bëhen, edhe ata, shenjtorë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.