2014-04-22 16:44:34

Shërimi i të paralizuarit në Kafarnaum


Jemi në kapitullin e dytë të Ungjillit sipas Markut dhe Jezusi gjendet përsëri në Kafarnaum. Shtëpia është e mbushur me njerëz, por edhe përjashta, para derës, është mbledhur një numër i madh dëgjuesish. Katër vetë sjellin një të paralizuar, por, meqë nuk mund të hyjnë brenda për shkak të turmës, hapin çatinë dhe e zbresin të sëmurin para Jezusit.
Jezusi, shkruan Marku, “po u shpallte njerëzve fjalën” dhe “pa fenë e atyre që ia sollën të sëmurin përpara”. Në këtë tregim mund të shikojmë dy realitete kryesore: (1) turmën, që është aq e rrëmbyer nga mësimet e Jezusit, sa nuk ia hap rrugën vigut me të paralizuarin, dhe (2) katër njerëzit që mbartin vigun. Njerëzit e turmës duan ta dëgjojnë Jezusin për vete, ndërsa katër mbartësit e vigut përpiqen të arrijnë tek ai për të paralizuarin. Jezusi sheh fenë e tyre. Ata nuk shkojnë tek Jezusi për të marrë mësime, por për të kërkuar shpëtimin.
Feja ia hap mendjen dhe zemrën njeriut besimtar, por, mbi të gjitha, i hap sytë dhe e bën të aftë të shikojë lëngatat e njerëzve nevojtarë dhe t’i marrë përsipër ato. Marku nuk na thotë kush janë këta katër njerëz, por na thotë se Jezusi pa fenë e tyre. Feja i bën njerëzit solidarë. Besimtari nuk humb kohë duke denoncuar sëmundjet e njeriut, por e ngarkon të sëmurin mbi shpatulla dhe e çon tek Jezusi.
Feja e këtyre katër njerëzve nuk është një e mirë që u vlen vetëm për vete. Ajo është burim mirësie për njeriun e sëmurë. Duke parë fenë e tyre, Jezusi i thotë të sëmurit: “Bir, të janë falur mëkatet”. Vepra e madhe e fesë është pranimi i faljes, që vjen nga Hyji në Krishtin. E keqja e madhe, që e mban të paralizuar njeriun, është mëkati. Duke shpallur faljen e mëkateve, Jezusi e shkul të keqen me rrënjë. Ai nuk ka ardhur për të ndrequr rrjedhojat e së keqes, por për ta mundur të keqen në rrënjë, që ajo të mos ketë më asnjë pushtet mbi njeriun.
Pushteti i Jezusit mbi mëkatin i shkandullon skribët, të cilët thonë: “Pse flet kështu ai. Blasfemon! Kush mund t’i falë mëkatet, përveç Hyjit të vetëm?” (2,7). Por Jezusi e shfaq pushtetin e faljes me anë të mrekullisë së shërimit: “Që ta dini se Biri i njeriut e ka pushtetin për të falur mëkatet, unë po të them – i tha të paralizuarit: çohu, merr vigun tënd dhe shko në shtëpi” (2,10-11). Feja e shëron njeriun në shpirt, sepse e rilind me anë të faljes, dhe për këtë shërim ka nevojë e tërë turma, që shtyhet para derës së shtëpisë ku gjendet Jezusi. Prandaj “të gjithë u mrekulluan dhe e lavëderonin Hyjin, duke thënë: këtë gjë nuk e kishim parë kurrë” (2,12).
Shtëpia ku gjendet Jezusi është bota. Ai ka ardhur në botë si njeri, për të shpallur faljen e Hyjit. Turma rreth Jezusit janë të gjithë njerëzit, që kanë nevojë për mësimin e tij, për të gjetur kuptimin e jetës. Shpesh herë turma i harron nevojtarët dhe ua mbyll rrugën për tek Jezusi. Kisha është bashkësia e vogël e besimtarëve (katër njerëz, që mbartin një vig), e cila kujdeset për të paralizuarit, për të përjashtuarit dhe të mënjanuarit, i ngarkon mbi vig dhe i çon tek Jezusi, me fe. Skribët janë institucioni fetar i mbyllur, që mendon se Hyji nuk mund të veprojë jashtë skemave të fesë rituale. Nëse Kisha di t’i çojë nevojtarët tek Krishti, siç bënë katër njerëzit e Ungjillit, pa e larguar turmën dhe duke hapur çatinë, edhe turmat e kohës sonë, si turma e Ungjillit, do të mrekullohen dhe do ta lavdërojë Hyjin, duke thënë: këtë gjë nuk e kishim parë kurrë.








All the contents on this site are copyrighted ©.