2014-04-22 15:32:47

"Oboedientia et pax", "Totus tuus": dy moto, dy papë shenjtorë. Etje për amshim


Në udhën tonë drejt ditës së shenjtërimit të Papës Gjon Pali II dhe Papës Gjoni XXIII, sot, do të ndalemi në efektet, në gjithçka la në zemrat e njerëzve jeta dhe vepra e Karol Vojtilës, sipas dëshmisë që jep në librin “Kam jetuar me një shenjt”, sekretari i tij personal, kardinali Stanislau Xhivish, në një intervistë me gazetarin italian Gian Franco Svidercoschi.RealAudioMP3
“Duket sikur të ishte dje – rrëfen ai – por kanë kaluar nëntë vjet. Nëntë vjet të gjatë nga vdekja e Gjon Palit II. Mori fund koha e ankthit, e trishtimit. Koha, gjatë së cilës, ndjenja e mungesës, e zbraztësisë, ishte kaq e fortë, kaq e padurueshme, sa shumë njerëz kishin nevojë të shfryheshin, të shkruanin. Mijëra, pusullat e lëna në Sheshin e Shën Pjetrit e të ngjitura në shtyllat rreth tij. Sido që të ishte, ai do të gjente një mënyrë për t’i lexuar. Mijëra histori jete të përditshme, ku mbizotëronte malli i përvëluar. Si ajo gruaja, ndoshta e re, që nënshkruante me emrin Ania. ‘Ndjej diçka të çuditshme. Sikur vetëm tani e kuptoj se duhet të organizohem vetë, se ti nuk je më…’.
Në funeralin e Gjon Palit II, kremtuar nga Pasardhësi i Tij, Benedikti XVI, atëherë, kardinali Jozef Racinger, Sheshi i Shën Pjetrit dhe rrugët rreth tij ishin mbushur plot e përplot. Dikush komentoi se njerëzit ishin aty për diçka emotive, sentimentale, ose për maninë e të qenit të pranishëm në ngjarjet e mëdha. Por pas asaj meshe, për shumë prej tyre, jeta nuk u kthye më në gjendjen e mëparshme. Të krishterët, por jo vetëm ata, u prekën nga feja e atij njeriu-shkëmb, që shkoi me qetësi në shtëpinë e Atit Qiellor, pavarësisht nga vuajtja, pavarësisht nga vdekja. Reflekton kardinali Xhivish:
“Vetëm më vonë u kuptua. Vetëm më vonë, pasi u harrua karakteri i jashtëzakonshëm që mund të kishte një manifestim i tillë masiv, u kuptua se thellë në ndërgjegje, ndihej dëshira për amshim. Domethënë, ekzistonte bindja se përkrah atij njeriu, atij Pape, edhe pas vdekjes, ishte e mundur të perceptohej krejt qartë afërsia e Zotit. …Fakti se edhe sot, nga kujtimi i tij, do të thosha nga varri i tij, lirohen në ajri kaq shumë fryte shpirtërore, nuk mund të shpjgeohet ndryshe, veçse në dritën e asaj, që unë e quaj “trashëgimi e zemrës”. Zemrat kanë vazhduar të flasin me njëra-tjetrën. Sepse zemrat mund të përshkojnë edhe barrierat e kohës. Edhe barrierat e vdekjes”.
Ndokush mund të nënqeshë me shpoti, por mjafton të shëtisësh nëpër baret e qyteteve të botës, sidomos në periferi, e kjo trashëgimi e zemrës bëhet e dukshme. Mjafton të shohim fotografitë, që njerëzit ngjisin në banak, apo nëpër mure. Gazetari Svidercoschi kujton një, në librin “Kam jetuar me një shenjt”. “Isha – tregon - në një fshat të Sicilisë, poshtë Taorminës. Në barin pranë kishës, pas banakut, pashë tri fotografi të Gjon Palit II. Vështrimit tim pyetës, pronari iu përgjigj duke e lënë përgjysëm kafen, që po piqte për mua, duke hequr kapelën e duke më thënë: ‘Zotëri, mos harroni se ky Papë ka lënë një copëz nga vetvetja në zemrën e secilit prej nesh…’. Ishte njeri i thjeshtë, fliste me seriozitet, me bindje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.