2014-04-22 15:33:14

Meshët e mëngjesit të Papës në librin “E vërteta është takim. Homeli nga Shtëpia e Shën Martës”


Një vit fjalë, nga më të lexuarat e më të dëgjuarat në botë, takim i përditshëm për miliona njerëz. Këtë përmban libri “E vërteta është takim. Homeli nga Shtëpia e Shën Martës”, botuar nga Rizzoli, që do të dalë në librari më 24 prill. Në të propozohen sintezat e 186 homelive të meshës së mëngjesit, kremtuar nga Papa Françesku, ashtu siç i ka paraqitur Radio Vatikani në emisionet e veta. Parathënia e vëllimit është shkruar nga drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, i ndjekur nga një ese hyrëse e drejtorit të revistës së jezutitëve “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro.
Një impenjim më shumë. Që kur hapi portat e kapelës së Shtëpisë së Shën Martës , ku bota hyn për të dëgjuar homelitë, katër herë në javë, Papa Françesku, jo vetëm që zgjoi kureshtjen për ç’do të thotë të nesërmen dhe krijoi një zakon pa kufij gjeografikë e fetarë, por kontribuoi edhe në ndryshimin e rutinës profesionale të Radios së “tij”, që ka tani një hapësirë të re e të bukur. Që nga 25 marsi 2013, Radio Vatikani krijoi një skuadër teknikësh e redaktorësh, të nevojshme për sintezën e shkruar dhe të transmetuar të homelisë së ditës, e cila, menjëherë, u bë një lloj “vule” e magjisterit të Atit të Shenjtë.
Lindi kështu ai “impenjim tjetër”, mëse “i mirëpritur”, siç e quan atë Federiko Lombardi në parathënien e librit, në faqet e të cilit, secili mund të rilexojë fjalët e Papës Françesku, ndërsa në CD-në që e shoqëron, mund edhe të dëgjojë zërin e tij, pauzat, nënvizimet, të ndjejë ndikimin e mësimeve të tij të fesë, të stilit të tij shprehës. Libri del më 24 prill, ndërsa CD-ja do t’i bashkangjitet atij më 7 maj, katër ditë para paraqitjes së vëllimit në Sallonin e Librit në Torino. Homelitë e mëngjesit të Papës Françesku, shkruan atë Federiko Lombardi, janë ato të “një biri të Shën Injacit të Lojolës, i mësuar t’i ndihmojë shpirtrat për të kërkuar e kuptuar vullnetin e Zotit çdo ditë, me sytë e ngulur tek Jezusi, që bart Kryqin për të na shëlbuar, nën vështrimin plot dashuri të Atit Qiellor”.
Radio Vatikani e ndjek e do ta ndjekë këtë udhëtim shpirtëror të Papës, që nga mikrofoni i hapur në agim, në “veshët e vëmendshëm, mendjet e mprehta, gishtat e shpejtë” të sekretareve të redaksisë, që i transkriptojnë me besnikëri fjalët, e deri në ballafaqimin ndërmjet drejtorit dhe gazetarit të ngarkuar me sintezën, gjithnjë “me gjithë impenjimin e gëzimin” e mundshëm, siguron atë Lombardi. Sepse që prej 83 vjetësh – nga Guljelmo Markoni në Shtëpinë e Shën Martës – ndryshojnë mënyrat, por misioni i radios mbetet po ai: “përhapja e fjalës së Papës”, shërbim, që libri i publikuar nga Shtëpia Botuese Rizzoli e nxjerr në dritë me saktësi dhe elegancë. E qëllimi është, përfundon atë Lombardi, që “me ndihmën e Papës, të takojmë Jezusin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.