2014-04-21 16:09:58

Shenjtëria, nga afër: Gjon Pali II, në fjalët e kardinalit Xhivish


"Kam jetuar krah një shenjti. Ose, së paku, për gati dyzet vjet, çdo ditë, e kam parë nga afër shenjtërinë, ashtu siç e kam menduar gjithnjë se duhet të jetë. E kam parë në këtë njeri, në Karol Vojtilën, në marrëdhëniet e tij intime, kaq të mistershme, që kishte me Zotin. Në qëndrueshmërinë dhe njëkohësisht, për transparencën e fesë së tij. Në guximin me të cilin dëshmonte të vërtetat e Krishtit dhe vlerën e jetës. E në dashurinë, me të cilën i afrohej çdo burri, ose çdo gruaje, dhe i respektonte dinjitetin, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, nga raca, apo përkatësia fetare”.
Kështu, me disa penelata të shpejta, kardinali Stanislau Xhivish, dikur sekretar personal i Papës Gjon Pali II, përshkruan njeriun, që më 27 prill do të njihet shenjtor i Kishës Katolike. Penelata, që tregojnë se shenjtëria ishte aty, që në fillim, shprehej në njëmijë mënyra e natyrisht, nuk priti 27 prillin për t’i bindur besimtarët se “njeriu i veshur me të bardha”, Papa i Romës ishte shenjt. E në librin-intervistë me gazetarin italian Gian Franco Svidercoschi, me të cilin do t’ju shoqërojmë gjatë këtyre ditëve drejt ditës së kanonizimit, por edhe më pas, kardinali Xhivish e thotë qartë:
“E pashë këtë shenjtëri, në pasionin ungjillor të Karol Vojtilës që Kisha të ishte sërish familje, një shtëpi mikpritëse, nën shenjën e mëshirës, të bashkimit, të unitetit të karizmave e të dhuratave të shumta. Pasion, që njerëzimi ta linte mënjanë çdo frikë, t’i rezistonte tundimit për konflikte të reja, për integralizma të reja; e pasi të kishte hedhur poshtë Muret, pasi t’i kishte mohuar ideologjitë, të gjente udhën e paqes, të drejtësisë, të solidaritetit.
E pashë nga afër shenjtërinë, ndërsa Papa Vojtila ishte akoma gjallë – vazhdon kardinali Xhivish, duke interpretuar vështrimin e bashkohësve të vet, besimtarë që e ndoqën Gjon Palin II hap pas hapi, me praninë e tyre, ose me anë të mediave. Një shenjtëri e zakonshme, që përkonte me kohët e jetës së përditshme, me impenjimet e lodhjen e çdo dite, me takimet me njerëz nga e gjithë bota, me ceremonitë e mëdha publike dhe me çastet, që ia rezervonte me xhelozi shpirtit, përshpirtërisë së tij. Ose edhe më thjesht, një shenjtëri që e ngjyroste me mahnitje, me një habi gjithnjë të re, hapjen e syve çdo mëngjes për të parë mrekullitë e Krijuesit.
Pastaj, në vite, pashë një shenjtëri të shenjuar vazhdimisht nga Kryqi, ashtu siç ka qenë gjithë jeta e Karol Vojtilës, që nga rinia. Shenjtëri, prag i herozimit, nëse jo i martirizimit, kur u përpoqën ta vrisnin; ose kur e preku ajo sëmundje e tmerrshme, që, duke e penguar të ecte, madje edhe të fliste, e çoi drejt vdekjes. E ai pranoi gjithçka me qetësi, duke u lëshuar në krahët e Zotit. Ashtu siç shkruan në fillimin e testamentit: “Dëshiroj ta ndjek…”.
E vazhdova ta shoh shenjtërinë e tij – shkruan kardinali Xhivish për Papën Gjon Pali II – në atë masë të pabesueshme njerëzish, që shkoi për t’i dhënë lamtumirën e fundit, që viziton e lutet në varrin e tij e që, më 1 maj 2011, u kthye në Shën Pjetër për lumnimin e papës.
Ishte populli i tij – përfundon kardinali parathënien e librit “Kam jetuar me një shenjt”. Popull i sa e sa vetëve që e deshën, që u identifikuan me të, ose që thjesht, mbetën të prekur prej tij. Edhe jo të krishterë. Edhe jo besimtarë. Si për të provuar se, nëse jetohet e praktikohet në dritën e urtisë hyjnore, mesazhi ungjillor mund të arrijë kudo e në mos tjetër, të kuptohet nga të gjithë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.