2014-04-21 15:56:06

Mesazhi i Patrikut Kirill për Pashkë: “Të rilindë lidhja ndërmjet popujve vëllezër të Rusisë e të Ukrainës”.


Një lutje e posaçme për popujt e Rusisë e të Ukrainës, që paqja të ngadhënjejë në mendjet e zemrat e atyre, që janë vëllezër e motra me gjak e me fe, për të riforcuar, kështu, lidhjet e humbura e për të mundësuar rilindjen e bashkëpunimit të nevojshëm. Këtë kërkon, në mesazhin e tij të Pashkëve, primati i Kishës ortodokse ruse, patriku i Moskës Kirill, duke iu drejtuar të gjithë besimtarëve ortodoksë të Rusisë dhe mbarë popullit të krishterë, që sivjet i kremtoi bashkërisht Pashkët e Shenjta, më 20 prill. Kirilli kujton se duke e kumtuar dashurinë e Zotit, që e kapërcen çdo dije, krishterimi i bashkon njerëzit, sepse drita e Krishtit e ndriçon çdo njeri. Por për ta bërë këtë, Patriku i Moskës i nxit të gjithë ta përtërijnë shpirtin me kumtimin e Pashkëve e ta ndajnë me gëzim me familjarët e me të afërmit, ndërsa Kisha ortodokse është e thirrur ta kryejë me zell misionin e saj të shëlbimit e ta nxisë bashkimin shpirtëror të popujve, që jetojnë në vendet e jurisdiksionit shpirtëror të Patriarkanës së Moskës. Vit pas viti, vijon të pohojë Patriku ortodoks rus, lajmi i gëzueshëm i Ngjalljes na sjell jehonën e fitores e na shtyn ta lumnojmë Zotin e Shëlbuesin, që me vdekjen e Tij e mundi vdekjen e na bëri pjesëmarrës në jetën e pasosur, që do të vijë.
Kirilli kujton, në vijim, se Pashkët nuk janë legjendë e bukur, as aksiomë teologjike as detyrim për të përmbushur një traditë të lashtë. Pashkët janë thelbi, janë zemra e kristianizmit: janë fitorja, që na dhuroi Zoti. Ngjallja e Krishtit duhet pritur gjithnjë si mrekullia më e madhe, që njeh historia e njerëzimit.
Zoti Jezus e përtërin natyrën njerëzore, e forcon në prova, i jep fuqi të bëjë gjithnjë vepra të mira.









All the contents on this site are copyrighted ©.