2014-04-21 15:55:51

E Hëna e Engjëllit


Kremtimi i Pashkëve, pra kremtimi i Krishtit të Gjallë liturgjikisht zgjatet gjithë javën, kësaj jave, e cila dikur quhej “In Albis”. Besimtarët vijojnë të kremtojnë edhe sot, e hëna pas Pashkëve, që njihet me emrin e Hëna e Engjëllit, duke e zgjatur kështu festën, gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit, të të Ngjallurit të Krishtit.
Sot e Hëna e Engjëllit është bërë më tepër festë profane, ka marrë formën e një shëtitjeje jashtë qytetit e cila, për ata që i kanë kremtuar si duhet Pashkët, është gjë e bukur, është vijim i gëzimit të festës së ngjalljes. Por për ata që nuk kanë kremtuar kurrfarë Pashkësh, kurrfarë feste fetare, kjo e hënë sigurisht është e zbrazët e pa kuptim, sepse do të thotë të festosh në një ditë që nuk dihet ç’ përkujton. Ndërsa për të krishterët edhe ky gëzim njerëzor bën pjesë në gëzimin e Ngjalljes. Konkretisht, nga ana liturgjike, vijon kumtimi i Ngjalljes, që këtë herë vjen nga Engjëlli, i cili u duket grave, e prej këndej dita merr emrin e Hëna e Engjëllit. Java që vjen pas Pashkëve quhet in Albis, sepse të posa pagëzuarit këtë javë visheshin me të bardha – e in albis do të thotë “me të bardha” – deri në të dielën e mëpasme.

Që sot kemi para kohën e Pashkëve, që shkon deri në festën e Rrëshajëve.
Të gjitha këto 50 ditë s’janë tjetër, veçse zgjatje e Pashkëve e në të vërtetë e gjithë koha e Pashkëve deri në Rrëshajë në lashtësi quhej e Rrëshajëve, dmth festa e Rrëshajëve ishte festa e 50 ditëve e jo e ditës së 50-të.








All the contents on this site are copyrighted ©.