2014-04-20 16:09:08

Pashkët në Jeruzalem: nga Varri i zbrazët lind një dritë e re


Mesha e Pashkëve u kremtua dje në mëngjes, në Bazilikën e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, sipas marrëveshjes së status quo. Të pranishëm, mijëra besimtarë. Kremtimi i sivjetëm pati një kuptim të posaçëm në Tokën e Shenjtë, për shak të përkimit Pashkëve katolike e ortodokse, në të njëjtën të diel: simbol plot shpresë, ky.
Françeskani Frédéric Manns, profesor pranë Studium Biblicum Franciscanum në Jeruzalem, na flet për atmosferën, në të cilën u kremtuan Pashkët, në viset ku Jezusi u kryqëzua, u varros e u ngjall prej të vdekurve:RealAudioMP3

Përgjigje: - Sapo të hysh në Bazilikë, ndjen një aromë të fortë, që përhapet nga guri i vajimit e na kujton thirjen tonë. Është thirrja e grave-mirofore, për t’i çuar parfumin Krishtit. Kisha e kremton Ngjalljen e Zotit, në vendin, që quhet Anastasis. Ne flasim për Varrin e Shenjtë, po grekët e lindorët flasin gjithnjë për Anastasis. Nga Varri buron drita e vërtetë e që aty ipeshkvi shpall Ungjillin e Zotit, që ngjallet prej së vdekurish. Pastaj, Kisha mediton gjithë mrekullitë e Zotit, duke rilexuar Shkrimin Shenjt: shtatë lexime. Anëtarët e rinjt të Kishës, të ringjallur nga gurra e Pagëzimit, janë të ftuar në sofrën e Zotit. Është Zoti i ngjallur Ai, që jep jetën e edhe dhuratën e Shpirtit Shenjt. Këtë mister Pashkësh e jetuam rishtas në kremtimin e Eukaristisë. Kemi, kështu, të tre elementet e kerygmës: Krishti vdiq për ne; Krishti u ngjall për shfajsimin tonë; Krishti na i fal mëkatet në Pagëzim.

Pyetje: - Diçka për atmosferën e kremtimit të sivjetëm?

Përgjigje: Kremtimi u ndoq nga një turmë jashtëzakonisht e madhe. Gjëja më e bukur e liturgjisë së Jeruzalemit është se nga Varri del drita e re. Kjo është risia e parë e kremtimit të Pashkëve në Jeruzalem. E dyta risi: sipas traditës shumëvjeçare, që vjen në kohët tona nga Egjeria (shek IV pas Krishtit), Ungjillin e shpall vetë ipeshkvi e jo diakoni. E shpallja bëhet para edikolës së Ngjalljes. Prej këndej simbolizmi i ditës është vërtet i rëndësishëm: na kujton se Zoti krijoi dritën, se njeriu u vesh me dritë e se të gjithë duhet të jemi bijtë e dritës.

Pyetje: - Ç’ mesazh rrezaton Toka e Shenjtë për mbarë njerëzimin?

Përgjigje: - Mesazhin, që shprehet qartë në Exultet, ftesën për gëzim. Kjo është Pashka e vërtetë, në të cilën flijohet Qengji i vërtetë, që me gjakun e vet shenjtëron shtëpitë e besimtarëve; kjo është dita, në të cilën Zoti i çliroi bijtë e Izraelit, etërit tanë, nga skllavëria dhe i bëri të kapërcejnë Detin e Kuq. Kjo është dita, në të cilën errësira e mëkatit u mund me shkëlqimin e shtyllës së dritës. Kjo është dita, që i shpëton të gjithë besimtarët në Krishtin, nga errësira e mëkatit e kalbja e botës. Krishti na kujton: “Ju prij në Galile!”. Është i gjallë, u ngjall!”. Mesazhi i Pashkëve është se Zoti krijon tokë të re, qiell të ri e njerëz të rinj.







All the contents on this site are copyrighted ©.