2014-04-20 17:06:41

Pashkë në Tokën e Shenjtë. Patriarku Tual: paqja qoftë me të gjithtë popujt


“Nuk duhet të kemi turp ta dëshmojmë Krishtin e ngjallur”. Është zemra e mesazhit të Patriarkut latin të Jeruzalemit, imzot Fuad Tual, për Pashkët 2014. Mesazhi u shqiptua në Meshën e Ngjalljes, në Bazilikën e Varrit të Shenjtë. Fjalë që jehojnë me një forcë të veçantë, në viset e Jezusit, të cilat nuk kanë paqe. E tregojnë këtë, ndeshjet e paradites së sotme ndërmjet palestinezëve e reparteve të policisë izraelite në Sheshin e Xhamive. Por, pavarësisht nga tensionet, Mesha e Pashkëve, me procesionin solemn, u ndoq nga një numër shumë i madh shtegtarësh. Vetë Patriarku e shpalli Ungjillin para edikolës, apo elterit, që ruan Varrin e Krishtit. Në homeli, Imzot Tual kujtoi dramat, që trazojnë Tokën e Shenjtë: familjet e detyruara të emigrojnë, qytetet e shkatërruara, kishat e dhunuara, meshtarët e rrëmbyer. Por, pavarësisht nga kjo, Ngjallja e Krishtit na jep dritë e forcë për të mos heshtur, pohoi Patriarku:
“Shpresoj se Kisha universale ndjehet bashkëpërgjegjëse për këtë paqe, për këto bashkësi të krishtera, për këtë gëzim”.
Në kremtimin pranë Varrit të Krishtit morën pjesë të krishterë të Tokës së Shenjtë, por edhe shumë shtegtarë, ardhur në Jeruzalem për ta jetuar Javën e Madhe në viset e në ditët kur pikërisht këtu ndodhi gjithçka:
Të jesh në Jeruzalem, do të thotë të kesh mundësinë për ta parë më nga afër si i jetoi Jezusi mundimet, pohon një shtegtar.
Pashkët në Tokën e Shenjtë sivjet janë prelud i takimit ekumenik me Papën Françesku që, muajin ardhshëm, do të vizitojë Jordaninë, Territoret palestineze e Izraelin.
Na e kujton këtë edhe imzot Tual:
“Po përgatitemi për ardhjen e Atit të Shenjtë, njeriut të paqes, të qetësisë, të afërsisë me të gjithë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.