2014-04-20 12:21:45

Mesazhi i Papës drejtuar Romës e Botës për Pashkët 2014 (tekst i plotë)


“Christus syrrexit venite et videte!”.
Të dashur vëllezër e motra: për shumë vjet Pashkët!
Jehon në Kishën e përhapur në mbarë botën, kumti që u dha Engjëlli grave: “Ju, mos kini frikë! E di se kërkoni Jezusin, të kryqëzuarin. Nuk është këtu. U ngjall… ejani e shikoni vendin ku ishte vënë” (Mt 28,5-6). Ju, mos kini frikë! Zoti u ngjall!
Ky është kulmi i Ungjillit, është vetë Lajmi i Mirë: Jezusi, i kryqëzuari, u ngjall! Kjo ngjarje është në bazë të fesë sonë e të shpresës sonë: nëse Krishti nuk do të ishte ngjallur, Krishterimi do ta humbiste vlerën e tij; gjithë misionit të Kishës do t’i sosej frymëzimi, sepse prej aty u nis e riniset gjithnjë. Mesazhi, që të krishterët ia përcjellin botës, është ky: Jezusi, Dashuri e mishëruar, vdiq mbi kryq për mëkatet tona, por Hyji Atë e ngjalli dhe e bëri Zot të jetës e të vdekjes. Në Jezusin, Dashuria ngadhënjeu mbi urrejtjen, mëshira mbi mëkatin, e mira mbi të keqen, e vërteta mbi gënjeshtrën, jeta mbi vdekjen.

Prandaj ne të gjithë themi: “Ejani e shikoni!”. Në çdo situatë njerëzore, mbi të cilën rëndon mëkati e brishtësia, Lajmi i Mirë nuk është thjesht fjalë, por dëshmi e dashurisë besnike, pa asnjë shpërblim: është dalje nga vetvetja, për të shkuar e për të takuar tjetrin, është të jesh pranë të plagosurit nga jeta, të ndash gjithçka me njeriun, që i mungojnë gjërat më të nevojshme; t’i rrish pranë të sëmurit, plakut, të braktisurit…“Ejani e shikoni!”: Dashuria është më e fortë, Dashuria jep jetë, Dashuria bën të lulëzojë shpresa në shkretëtirë.

Me këtë siguri të gëzueshme në zemër, sot të drejtohemi ty, o Zot i Ngjallur!
Na ndihmo të të kërkojmë, që të gjithë të mund të të takojmë, duke e ditur se e kemi një Atë, që mund ta takojmë e ta adhurojmë e nuk jemi jetimë.
Na ndihmo ta shërojmë plagën e urisë, rënduar nga konfliktet dhe shpërdorimet e pamasa, për të cilat shpesh jemi fajtorë.
Na bëj të aftë të mbrojmë të pambrojturit, posaçërisht fëmijët, gratë, pleqtë, shpesh objekt i shfrytëzimit e i braktisjes.
Bëj që të mund t’i mjekojmë vëllezërit e goditur nga epidemia e ebolës në Guinea Konakrì, Sierra Leone e Liberi, e edhe të tjerët, të prekur nga sëmundjet, që përhapen edhe për shkak të mungesës së mjekimeve e të varfërisë së plotë.
Ngushëlloi ata, që sot nuk mund t’i kremtojnë Pashkët me të dashurit, sepse të detyruar të shkëputen padrejtësisht nga dashuria e tyre, ashtu edhe njerëzit e tjerë të shumtë, meshtarë e laikë, të rrëmbyer në vende të ndryshme të botës.
Ngushëlloi ata, që janë larguar nga trojet e tyre për të emigruar në vise, ku mund të shpresojnë në një ardhmëri më të mirë, ta jetojnë jetën me dinjitet e shpesh herë, edhe ta praktikojnë lirisht fenë e tyre.
Të lutemi, o Jezus i lumnueshëm, premto të pushojë çdo luftë, çdo armiqësi e madhe a e vogël, e vjetër a e re.
Të lutemi, posaçërisht, për Sirinë, Sirinë e dashur, që ata, të cilët vuajnë pasojat e konfliktit, të mund të marrin ndihmat e nevojshme humanitare e palët në ndeshje të mos e përdorin më forcën për të mbjellë vdekje, posaçërisht kundër popullsive të pambrojtura, por të kenë guximin të bisedojnë për paqen, që pritet tashmë prej shumë kohe.
Të lutemi t’i ngushëllosh viktimat e dhunës vëllavrasëse në Irak e t’i mbështetësh shpresat, që ngjalli rifillimi i bisedimeve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve.
Të lutemi të marrin fund ndeshjet në Republikën Qendrafrikane e të ndalen atentatet e egra terroriste në disa zona të Nigerisë e dhuna në Sudanin e Jugut.
Të lutemi, që shpirtrat të kërkojnë pajtimin e harmoninë vëllazërore në Venezuelë.
Për Ngjalljen tënde, të cilën sivjet e kremtojmë së bashku me Kishat që ndjekin kalendarin julian, të lutemi t’i ndriçosh e t’i frymëzosh nismat e paqëtimit në Ukrainë, që palët e interesuara, të ndihmuara nga Bashkësia Ndërkombëtare, të rifillojnë të gjitha përpjekjet për ta ndaluar dhunën e për të ndërtuar, me shpirtin e unitetit e të dialogut, ardhmërinë e vendit.Për të gjithë popujt e Tokës, të lutemi, o Zot: Ti, që ngadhënjeve mbi vdekjen, na e jep jetën tënde, na e jep paqen tënde!







All the contents on this site are copyrighted ©.