2014-04-20 15:21:09

Imzot Krajevski u çon dhuratën e Papës të pastrehëve të Romës


Të premten në mbrëmje, në sa në Koloseum kremtohej Udha e Kryqit, lëmoshtari i Papës, imzot Konrad Krajevski dhe imzot Diego Raveli, ceremonier papnor, shkuan në zonat rreth Stacionit Termini, Shën Marisë së Madhe dhe Ostienses, për t’u çuar të pastrehëve një zarf me urimet e Pashkëve nga ana e Papës Françesku e edhe një ndihmë financiare, nga paratë e mbledhura prej Pergamenave me Bekimin Papnor për raste të ndryshme, të cilat tashmë i kanë kujtim edhe shumë shqiptarë: kujtim pagëzimi, krezmimi, martese, përvjetoresh në shenjë… RealAudioMP3
Dje paradite, të njëjtën dhuratë e morën rreth 30 gra, të strehuara këto ditë në Shtëpinë “Dhurata e Marisë”, në Vatikan, drejtuar nga misionaret e Nënë Terezës, edhe kjo e mirënjohur nga shumë shqiptare të strehuara këtu me raste të ndryshme. Në këtë mënyrë Papa pothuajse e zbrazi fare arkën e Lëmoshtarit të vet. Nga lëmoshtari, në xhep e lëmoshtarëve, që u çuditën nga kjo e papritur e gëzueshme. Nuk u kishte shkuar as nëpër mend se dikush do të mendonte për ta. E jo vetëm do të mendonte, por do t’ua shprehte afërsinë me një ndihmë konkrete.
Imzot Krajevski kujtoi se Papa e dërgoi t’i kërkojë të varfërit, të mos rrijë pranë shkritores, madje, ta shesë fare, që ta mundë kështu, tundimin për të ndenjur në zyrë. Nisma, pohoi, u mor pas predikimit të Atë Kantalamesës, në kremtimin e Mundimeve të Krishtit, në të cilën kapuçini predikatar ngriti me forcë zërin kundër idhujtarisë së parasë, që vijon t’i hapë plagë të rënda njerëzve të djersës së ballit, në të katër anët e botës. Duke shpjeguar me një realizëm tronditës situatën e sotme, Predikatari theksoi:
“Pse të çuditemi për këtë shpjegim e të na duket tepër i rëndomtë. A nuk ka qenë gjithnjë kështu e kështu është edhe sot e kësaj dite? Mamona, paraja, nuk është një nga idhujt, është idhulli për antonomazi…
E kriza financiare, që po kalon bota, a nuk shkaktohet kryekreje nga etja e pak njerëzve për të grumbulluar sa më shumë para? Kështu e nisi edhe Juda rrugën tradhtisë; duke vjedhur para nga arka e përbashkët. A u kujton gjë kjo tradhti, ca administratorëve të parasë? A nuk u duket kriminale, që disa të marrin njëqind fish më shumë, se ata që punojnë nën vartësinë tyre? A nuk u vjen turp, kur ngrenë në kupë të qiellit zërin, po u prekën sadopak interesat e tyre? E po u fol për drejtësi shoqërore?”.
Kështu u shpreh Atë Kantalamesa, në kujtimin e Darkës së Mbrame të Zotit, e Papa i bëri jehonë predikimit, duke u çuar të varfërve dhuratën e papritur. Kur lëmoshtarët iu afruan, disa prej tyre po shtronin për dhe kartonat, krevat i akullt në këtë pranverë të vonuar. U prekën aq, tregojnë lëmoshtarët, sa nisën të hedhin valle nga gëzimi, duke falënderuar Provaninë Hyjnore.Imzot Krajevski, që ka përgatitur këto vjet 14 Udhë Kryqi, pohoi se sivjet e bëri Udhën e Mundimeve me të pastrehët e Romës, në emër të Françeskut!







All the contents on this site are copyrighted ©.