2014-04-19 10:08:53

Papa në Udhën e Kryqit: “Fjalën e fundit nuk e ka e keqja, por dashuria, mëshira, falja”


“Nuk do ta ketë e keqja, fjalën e fundit, por dashuria, mëshira, falja”. Janë fjalët që Papa u drejtoi 40 mijë besimtarëve në një meditim të shkurtër, në përfundim të Udhës tradicionale të Kryqit, në Koloseum, mbrëmjen e së Premtes së Madhe. Zoti, tha Papa, e vuri mbi Kryqin e Jezusit gjithë barrën e mëkateve tona, gjithë padrejtësitë e çdo Kaini kundër vëllait, gjithë dhimbjen e pamasë të tradhtisë së Judës e të Pjetrit, gjithë mburracakërinë e njerëzve të pushtetshëm, gjithë arrogancën e miqve të rremë. Ishte Kryq tejet i rëndë, si nata e njerëzve të braktisur; i rëndë, si vdekja e njerëzve të dashur; i rëndë, sepse i rënduar nga gjithë pesha e ndryrësisë të së keqes.
Gjithsesi, vijoi Ati i Shenjtë, është edhe Kryq ngadhënjyes, si agu pas një nate të gjatë, sepse personifikon gjithë dashurinë e Zotit, që është shumë më e madhe se ndyrësitë tona e tradhtitë tona. Në Kryq shikojmë përçudnimin e njeriut, kur e lë veten nën pushtetin e së keqes; por shikojmë edhe pafundësinë e mëshirës së Hyjit, që nuk sillet me ne sipas mëkateve tona, por sipas dashurisë së vet. Përballë Kryqit të Jezusit, shikojmë, e gati prekim me dorë, se Zoti na do përjetësisht; përballë Kryqit e ndjejmë veten ‘bij’ e jo sende, jo objekte, siç pohonte Shën Gregori i Naciancenit, duke iu drejtuar Krishtit me këtë lutje: “Po të mos ishte Ti, o Krishti im, do të ndjehesha krijesë që ka marrë fund. Linda, e e ndjej si shkrihem dalngadalë. Ha, flej, pushoj, sëmurem e shërohem. Më pushtojnë dëshira e trazira, gëzoj diellin e frytet e tokës. Pastaj vdes e korpi im bëhet hi e pluhur, si ai i kafshëve, që nuk kanë mëkate. Po unë, ç’gjë kam më shumë se kafshët? Asgjë, përveç Zotit. Në se Ti nuk do të ishe, o Krishti im, do ta ndjeja veten njeri, që ka marrë fund”.

O Jezusi ynë, vijoi Papa, na prij prej Kryqit, në Ringjallje e na mëso se fjalën e fundit nuk do ta ketë e keqja, por dashuria, mëshira e falja. O Krisht, ndihmona të brohorasim rishtas: “Dje isha i kryqëzuar me Krishtin, sot u lumnova me Të. Dje vdiqa me Të, sot jam i gjallë me Të. Dje isha i varrosur me Të, sot u ngjalla me Të”. Në fund, të gjithë së bashku, t’i kujtojmë të sëmurët, njerëzit e braktisur nën barrën e Kryqit, duke uruar të gjejnë, në provën e Kryqit, forcën e Shpresës, të Shpresës së Ngjalljes e të Dashurisë së Zotit”.









All the contents on this site are copyrighted ©.