2014-04-19 13:05:43

Mundimi i Shëlbuesit është jeta e shëlbimi i njeriut: Porosia e imzot Lucian Avgustinit për Pashkë 2014


Besimtarë të dashur,
Duke e kujtuar lumturinë për shëlbimin e rifituar, Shën Pali apostull thotë: “Sikurse me anë të Adamit vdekja hyri në këtë botë, poashtu me anë të Krishtit shëlbimi i jepet përsëri botës” (Rom 5,12);“Njeriu i parë është nga toka, tokësor, njeriu i dytë nga qielli” (1 Kor 15,47).
Njeriu e ka dënuar dhe e ka kryqëzuar Birin e Zotit, kështu ai vendoset kundër Zotit, kundër të Vërtetës! Kjo vendosje e njeriut kundër Zotit ndodhë edhe sot në forma të ndryshme, duke e larguar, mohuar, duke jetuar indiferent apo edhe duke e mbyllur zemrën. Duke jetuar në këtë mënyrë, njeriu shkon kundër pavdekshmërisë dhe e rrënon përngjasimin e vet me Krijuesin. Por, edhe pse njeriu e tradhton, gjykon, kryqëzon, Zoti në Birin e tij të dashur, Jezu Krishtin, mbetet besnik, për shkak të dashurisë ndaj njeriut Ai e vendosi vlerën e dashurisë mbi vlerën e jetës, jetën e dha për të tjerët. Vdiq për dashuri ndaj të tjerëve. Me vdekjen e vet u mundësoi të tjerëve të jetojnë. Vdekja u shkatërrua në kryq, dashuria u bë më e fortë se vdekja. Krishti Zot këtë e tregoi me Ngjalljen e vet. Pra, mundimi i Shëlbuesit është jeta e shëlbimi i njeriut.
Sa herë marrëdhëniet ndërmjet njeriut me njeriun, në vend që të ndërtohen mbi bazën e dashurisë, ndërtohen mbi egoizmin, mbi padrejtësinë, mbi urrejtjen e dhunën! Janë plagët e njerëzimit, të shumë vëllezërve e motrave tanë që vuajnë. Plagë që copëtojnë zemrat dhe të cilat presin të lehtësohen e të shërohen përmes plagëve të lumnueshme të Zotit të ngjallur, “me vërragët e të cilit jeni shëruar” (1Pjt 2,24) dhe të solidaritetit të atyre që, duke ecur në gjurmët e emrit të Tij, kryejnë gjeste dashurie, angazhohen për drejtësinë dhe përhapin rreth vetes shenja të ndritura shprese kudo që dinjiteti i njeriut vijon të poshtërohet e të nëpërkëmbet. Uroj që pikërisht në këto situata të shumëfishohen dëshmitë e mëshirës dashurisë dhe të faljes! Ngjallja e Krishtit dëshmon se e vërteta është më e fuqishme sesa gënjeshtra; e mira është më e fortë sesa e keqja; është më e fuqishme se urrejtja, është më e fortë se .
Me vështrimin dhe mendjen te Krishti i Ngjallur, le të përballojmë çdo formë ose çdo frymë vdekjeje që transmeton mëkati, smira e padrejtësia dhe le të bëhemi frymë ngjalljeje në mesin tonë. Kur ne jemi në shoqëri me Krishtin aty nuk sundon vdekja, sepse Ai është "Ringjallja dhe Jeta" (Gjn 11,25), dhe këtë Jetë ua dhuron të gjithë atyre që bashkohen me Te. Të përfshirë me këtë ngjarje, jemi të thirrur që të jemi jo vetëm dëshmitarë dhe lajmëtar të ngjalljes së tij. Jemi përgjegjës për njohjen e ngjalljes së Krishtit në përditshmërinë tonë. Jemi të thirrur që prej të gjitha mendimeve dhe fjalëve tona, prej të gjitha veprave tona të rrezaton shkëlqimi i Krishtit të ngjallur. Oh, sikurse kishte për tu vërejtur ky rrezatim i Krishtit të ngjallur në fytyrat dhe në jetën tonë! “Zgjohu ti që fle, ngritu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti! (Ef 5,14)
Ngjarja e ngjalljes së Krishtit është ngjarje dashurie; dashuri e Atit, që dhuron Birin për shëlbimin e botës; dashuri e Birit, që e lëshon plotësisht veten në duart e Atit për të gjithë ne; dashuri e Shpirtit Shenjt që e ngjall Jezusin nga të vdekurit. Pashkët, me kremtimin e ngjalljes së Krishtit, na tregojnë udhën për të ndryshuar, shndërruar vetveten dhe botën, për t’i dhënë një fytyrë të re që favorizon zhvillimin e njeriut e të shoqërisë sipas logjikës së solidaritetit, të mirësisë, dashurisë, faljes, në respekt të dinjitetit të çdonjërit. E kremtja e Ngjalljes nuk shpall thjesht një lajm, por na fton që të marrim pjesë në lirinë që na fali Krishti. Kjo liri, mbështetet në besim, në fe. “Duhet të qëndroni të themeluar në fe, të qëndrueshëm dhe të palëkundshëm në shpresën që jep Ungjilli” (Kol 1,23).
Feja e jonë, Krishterimi nuk ka për qëllim që të na largon nga kjo botë, shoqëri por përkundrazi që të na bën më të përgjegjshëm për shoqërinë tonë, vendin tonë, për njëri tjetrin. Që të mos i mbyllim sytë në detyrat dhe përgjegjësitë tona fetare, shoqërore, familjare, ekonomike, politike, kulturore…
Njerëzimi ka nevojë për Krishtin: në Të, që është shpresa jonë, kemi qenë shëlbuar. (Rom. 8,24). Në se i afrohemi Atij me besim të përvuajtur, në shikimin e tij do të gjejmë përgjigjen për dëshirat më të thella të zemrës sonë: dëshirën për të njohur Hyjin e për të krijuar me Të një lidhje jetike, që e mbush jetën tonë dhe lidhjet tona ndërpersonale e shoqërore me dashurinë e tij.
Krishti i ngjallur ecë para nesh drejt qiellit të ri e tokës së re (Zb 21, 1) ku, më në fund, do të jetojmë të gjithë, si një familje e vetme, si bij të të njëjtit Atë. Ai është me ne deri në fund të kohëve. Të ecim pas Tij duke kënduar Aleluja! Në zemrën tonë ka gëzim e dhimbje; në fytyrë, gaz e lot. Kështu është jeta tokësore. Por, Krishti u ngjall, jeton e ecë me ne. Prandaj këndojmë e ecim në këtë botë, me sytë drejtuar kah Qielli! Ai është shpresa jonë. Shpresë e vërtetë për çdo njeri.
Krishti i ngjallur na dërgon edhe ne që të jemi dëshmitarë të shpresës së tij, dhe na siguron: “Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës” (Mt 28,20). Të lejojmë që të na ndriçojë drita e shkëlqyer e kësaj Dite madhështore; t’ia hapim me besim të sinqertë zemrën Krishtit të ngjallur, që forca përtëritëse e Misterit të Pashkëve të shfaqet në secilin prej nesh, në familjet tona, në qytetet e fshatrat tanë.


Për shumë vjet Pashkët !

Bariu i juaj

Imzot Lucjan Avgustini







All the contents on this site are copyrighted ©.