2014-04-18 13:56:21

Udha e Kryqit


Këto fjalë tregojnë rrugën që përshkoi Jezusi, ngarkuar me kryq, nga gjykata e Pilatit, në Malin e Kalvarit. Në këtë rrugë tragjike, që ndodhet në lagjen arabe të Jeruzalemit, sot janë vendosur stacionet e Udhës së Kryqit.
“Udha e Kryqit” është një praktikë përshpirtërie e devocioni, që përmban meditime mbi disa episode të Mundimeve të Krishtit, organizuar në 14 stacione, me qëllim që të ngjallë tek besimtarët nderimin për rrugëtimin e Jezusit drejt Golgotës. Zanafilla e këtij devocioni nuk njihet, por dihet se filloi të kremtohej gjithnjë më shumë nga shekulli XII në shekullin XIV, nën ndikimin e fuqishëm të kryqëzatave, sepse u bë e mundur të ndiqeshin jo vetëm simbolikisht, por edhe realisht, gjurmët e Krishtit, nëpër rrugicat e Jeruzalemit të vjetër. Kur kryqtarët e shtegtarët ktheheshin në trojet e veta, kujdeseshin të ngrinin në vendet e tyre kujtimet e Kalvarit, të Varrit Shenjt e të vendeve të tjera të Mundimeve.
Vetëm në shekullin XVIII, autoritetet kishtare, më parë në Spanjë e më pas në vendet tjera, vendosën 14 stacionet dhe episodet, që do të kujtoheshin në secilin stacion. Disa nga këto episode përshkruhen në Ungjijtë, disa të tjera (si rënia nën kryq dhe takimet me Nënën e me Veronikën) janë dramatizim i ngjarjeve, që besohet të kenë ndodhur dy mijë vjet më parë. Para këtij vendimi, numri i stacioneve ndryshonte, sepse ishte fryt i devocionit të njerëzve të ndryshëm.
Këtë devocion e përhapën në mënyrë të posaçme Fretërit e Vegjël të cilëve, që nga shekulli XIV, u qe besuar ruajtja e Viseve të Shenjta të Palestinës. Fretërit e përhapën devocionin kudo dhe ngritën stacionet e Udhës së Kryqit në kishat e kuvendet e tyre.
Një françeskan, me devocion të veçantë për Udhën e Kryqit, Shën Leonardi nga Porto Maurizio (1676 – 1751) gjatë misioneve të tij nëpër Itali, ngriti 572 Udhë Kryqi. Ishte nisma e tij ajo, që e nxiti Papën Klementi XII, të shpallte më 3 prill 1731, përmes Kongregatës të Indulgjencave (ndjesëve), udhëzimin, sipas të cilit do të radhiteshin stacionet e Udhës së Kryqit, të cilat ende sot, me disa ndryshime të bëra nga Pendestaria Apsotolike – përbëjnë normën themelore, që rregullon organizimin e Udhës së Mundimeve dhe ndjesët, lidhur me të.
Mbi bazën e kësaj norme, Udha e Kryqit mund të realizohet edhe në varreza e në rrugica; kryqet, që shënojnë stacionet, duhet të jenë vetëm prej druri.
Çdo herë që e praktikojnë Udhën e përshpirtshme të Kryqit, besimtarët fitojnë ndjesën e plotë; ndërsa kur nuk mund t’i ndjekin të gjitha stacionet, fitojnë dhjetë vjet ndjesë për çdo stacion.

Stacionet e veçanta duhet të ndjekin këtë radhë:
Stacioni parë: Jezusi i dënuar me vdekje;
Stacioni i dytë: Jezusi i ngarkuar me kryq;
Stacioni i tretë: Jezusi rrëzohet për herë të parë;
Stacioni i katërt: Jezusi takohet me nënën;
Stacioni i pestë: Jezusi ndihmohet nga Simon Kireneu;
Stacioni i gjashtë: Jezusit ia fshin djersët Veronika;
Stacioni i shtatë: Jezusi bie për herë të dytë;
Stacioni i tetë: Jezusi ngushëllon gratë e përshpirtshme;
Stacioni i nëntë: Jezusi bie për të tretën herë;
Stacioni i dhjetë: Jezusi, i zhveshur, detyrohet të pijë vrer;
Stacioni i njëmbëdhjetë: Jezusi gozhdohet në kryq;
Stacioni i dymbëdhjetë: Jezusi vdes në kryq;
Stacioni i trembëdhjetë: Jezusi zbritet nga kryqi;
Stacioni i katërmbëdhjetë: Jezusi varroset.Që nga gjysma e shekullit XVII, deri më sot, në botë janë realizuar mijëra vepra, të frymëzuara nga Udha e Kryqit, në pikturë, në shtampë, në bronz e në materiale të tjera, shumë prej të cilave, me vlerë të madhe artistike.







All the contents on this site are copyrighted ©.