2014-04-17 15:29:12

Qendra “Zoja e Provanisë Hyjnore” e Fondacionit “Don Karlo Njoki”


Por cila është qendra e Fondacionit “Don Karlo Njoki”, në rrugën Casal del Marmo 401, ku Papa Françesku kremton Meshën e Darkës së Mbrame?
Dikur “Instituti Nëna Nasi” e Veprës “Shtëpia e vogël e Provanisë Hyjnore” e murgeshave të Kotolengos, i kalon Fondacionit në vitin 2003. Veprimtaria rifillon në vitin 2004, prandaj këtë vit, qendra feston përvjetorin e saj të dhjetë. Që atëherë, kjo strukturë vazhdon të kujdeset e të kurojë të sëmurë, duke e zgjeruar veprimtarinë në fusha të reja e duke rikualifikuar ambientet e ndryshme deri në vitin 2009.
Sot, Qendra e Zojës së Provanisë Hyjnore ka 150 shtretër, prej të cilëve 60 për të sëmurë rëndë, 60 për rehabilitim e 30, me pagesë, për pacientë që kanë nevojë për rehabilitim neurologjik. Këtyre u duhen shtuar 40 vende për rehabilitim ditor dhe 20 për rehabilitim shtëpiak.
Struktura është selia në Romë për Qendrën e Formimit, Orientimit dhe Zhvillimit, e cila merret me arsimimin dhe me formimin profesional të personave me kufizime fizike, të atyre që duan të punojnë si asistentë në këtë fushë dhe të punonjësve të shkollave, që kanë nevojë të njihen me problematikat e nxënësve të mundshëm me të meta fizike. Këtu ndodhen disa laboratorë, ku zhvillohet punë kërkimore-shkencore, edhe me përdorimin e realiteteve virtuale.
Themeluesi i Fondacionit, don Karlo Njoki (San Colombano al Lambro, 25 tetor 1902 – Milano, 28 shkurt 1956), ishte meshtar lombard, që ia kushtoi jetën bamirësisë. U kujdes sidomos për fëmijët e të rinjtë me probleme fizike, të ashtuquajturit “mutilatini” (të gjymtuarit e vegjël të luftës). Më 25 tetor 2009 u shpall i Lum nga Kisha Katolike, ndërsa në shkurt të këtij viti, në Romë erdhën reliket e tij, të cilat ruhen në Milano.
Nuk është hera e parë, që Papët e Romës tregojnë interesim për Fondacionin “Don Karlo Njoki”. Papa Piu XII pati pritur “mutilatinët” në vitin 1948, në Vatikan, takim, që u përsërit shpesh edhe në vitet e mëpasme, si më 1950, më 1953 e më 1954. Traditë, të cilën e vazhdoi edhe Papa Gjoni XXIII, më 1958 e 1963, ndërsa vizita e parë e një pape në Qendrën e parë të hapur nga Fondacioni në Romë, atë të “Zojës së Paqes”, që ndodhet pranë stadiumit Olimpik, ishte ajo e Papës Pali VI, më 23 dhjetor 1963. Gjon Pali II pati vizituar të njëjtën qendër në vitin 1990 e pati pritur dy herë anëtarët e Fondacionit. Më 10 mars 2010, veprimtarët e don Njokit morën pjesë në takimin me Benediktin XVI, rast për të falenderuar Zotin për lumnimin e themeluesit.








All the contents on this site are copyrighted ©.