2014-04-17 17:22:02

Patriarkët dhe liderët e krishterë të Tokës së Shenjtë urojnë që Pashkët të sjellin paqen në Lindjen e Mesme


“Ngjallja e Krishtit na siguron e na konfirmon se shndërrimi përmes hirit të Zotit, është gjithnjë i mundshëm, edhe në situatat njerëzore, që duken si të pakontrollueshme. Jemi të vetëdijshëm për dhunën, në vijim, në vende si Siria e Libani, ashtu si dhe për dramën e refugjatëve të panumërt, që detyrohen të braktisin shtëpitë. Por Pashkët vijnë me shpresë e paqe”. Kështu shkruajnë patriarkët dhe krerët e Kishave të krishtera të Tokës së Shenjtë, në mesazhin tradicional të Pashkëve.
Në tekstin, rimarrë nga agjencia AziaNjuz, prijësit e Krishterë të të gjitha emërtimeve, falënderojnë Kishën edhe organizatat kishtare, që ndihmojnë popullsitë e dëmtuara rëndë nga konfliktet, ndihmë, nënvizohet, shumë e çmuar. E sidomos, i ftojnë qeveritarët e rajonit t’i jetojnë Pashkët si çast i vërtetë paqeje: “Ju bëjmë thirrje të gjithëve: të krishterë, besimtarë të feve të tjera, njerëz vullnetmirë. Lutuni ndershmërisht, që procesi i paqes, në vijim, në Tokën e Shenjtë, të ketë rezultate pozitive e që paqja të përhapet në botën mbarë.
Pavarësisht nga vështirësitë e mprehta të situatës së sotme, shkruajnë më tej krerët e kishave, i ftojmë urgjentisht të gjitha palët ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike. Një paqe, që nuk kërkon t’u japë fund diskriminimeve ndërmjet bashkësive të ndryshme, nuk mund të jetë paqe e vërtetë. Për të qenë realë, paqja duhet të burojë nga drejtësia e nga dëshira për pajtim. Pajtim ndërmjet Zotit e njerëzimit e pajtim ndërmjet njerëzve, që e shikojnë shtrembër, me mllef, njëri-tjetrin. Ky pajtim lulëzon mbi Kryq e mbrohet nga Ngjallja. Qoftë kjo kohë Pashkësh, burim gëzimi e paqeje për të gjithë popujt. Krishti u ngjall! Alelluja!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.