2014-04-17 15:29:01

Mesha in Coena Domini: trashëgimia e Jezusit është të jemi shërbëtorë të njëri-tjetrit


Përkëdhelja e Papës Françesku për të vuajturit. Kjo ishte Mesha “in Cena Domini”, e Darkës së Mbrame të Zotit, që Ati i Shenjtë e kremtoi në Qendrën “Zoja e Provanisë Hyjnore” të Fondacionit “Don Karlo Njoki”, në Romë. Pas pritjes jashtëzakonisht entuziaste, Mesha Shenjte me një homeli të shkurtër, që rroku gjithë kuptimin e kësaj Nate të Shenjtë, me të cilën nisi Triditshi i Pashkëve; kuptimin e Darkës së Mbrame të Krishtit, thelbin e simbolikës së saj, duke u mbështetur mbi dy fjalë: dashuri e shërbim, në një vend ku pikërisht dashuria e shërbimi janë themelore.
Ai është Zot, kujtoi Papa, e u bë shërbëtori ynë. Duke na lënë trashëgim porosinë: edhe ju jeni shërbëtorët e njëri-tjetrit:
“E bëri këtë për dashuri. Prandaj edhe ju duhet të duheni e të jeni shërbëtorë, për dashuri. Ky është trashëgimi, që na la Jezusi. Zoti bëri një shërbim prej skllavi, prej shërbëtori e na e la trashëgim. Për të na kujtuar se duhet të jemi shërbëtorë të njëri-tjetrit”.
E bëri gjestin e larjes së këmbëve, si gjest simbolik. Zakonisht e bënin skllevërit, shërbëtorët e të ftuarve për dreka e darka. Sepse rrugët ishin plot me pluhur e kur hyje në shtëpi, duheshin larë këmbët. E na a la trashëgim, që ta bëjmë edhe ne:
“Prandaj Kisha sot përkujton Darkën e Mbrame të Jezusit, kur themeloi Eukaristinë, e bën sonte edhe gjestin e larjes së këmbëve, për të na kujtuar se edhe ne duhet të jemi shërbëtorë të njëri-tjetrit”.
Na kujton, pra, dashurinë, që duhet të kemi njëri për tjetrin, na kujton se duhet t’i shërbejmë njëri-tjerit. E edhe unë do ta bëj:
“Por të gjithë ne, si Zoti ynë, duhet të mendojmë për njeri-tjetrin me zemrën plot me atë dashuri, që na e la trashëgim Jezusi. E të mendojmë edhe si mund t’u shërbejmë të tjerëve, sepse Jezusi deshi që edhe ne të bëjmë kështu”.
Menjëherë pas, gjesti i larjes së këmbëve.
12 të sëmurët, të cilëve Papa u lau sot këmbët, janë simbol i formave të vjetra e të reja të brishtësisë njerëzore, për të cilat Ati i Shenjtë na kërkon të kemi kujdes, afërsi, solidaritet. Dymbëdhjetë pacientë, shpjegon Fondacioni “Don Njoki”, që ndodhen në Qendër për shkak të problemeve e kufizimeve të tyre fizike. Dikush i ka nga lindja e dikujt i kanë ardhur me moshën. Piëkrisht mosha e këtyre të sëmurëve është kaq e ndryshme, sa të përfshijë një jetë të tërë: më i vogli, 16 vjeç, ndërsa më e madhja, 86 vjeç. Të gjithë italianë, përveç tre të huajve, njëri prej të cilëve, mysliman, janë të sëmurë me patologji, që i kanë kthyer në invalidë ortopedikë, neurologjikë dhe onkologjikë.Më i riu quhet Osvaldinjo. 16 vjeç, me origjinë nga Kepi i Gjelbër, jeton në Romë prej kohësh. Gushtin e kaluar, u hodh në det për t’u larë, por hasi në një cektinë, që ia ndërpreu adoleshencën e ia ndryshoi përgjithmonë jetën: traumë e vertebrave dhe e palcës së shtyllës kurrizore, që i paralizoi gjymtyrët dhe e detyroi të lëvizë me karrocë. Por, pa e humbur dëshirën për jetë, tipike të moshës, ushqyer e mbështetur nga terapitë rehabilituese të Qendrës.
Tjetër histori, ajo e Orietës, 51 vjeçares romake. Dy vjeçe, sëmuret me linë e dhenve, që i shkakton probleme në tru. Për familjen fillon një kalvar mënjanimesh e braktisjeje. Nëntë vjeç, hyn në qendrën e murgeshave të Kotolengos, të cilave u përkiste më parë struktura e administruar tani nga Fondacioni “Don Karlo Njoki”. Që prej 43 vjetësh, Orieta jeton në këtë familje të madhe, pa humbur familjen e origjinës. Prindërit e kanë ndjekur vazhdimisht me dashuri e me fe. Nuk ka ditë, që të mos shkojnë për ta parë dhe nuk ndihmojnë vetëm bijën e tyre, por edhe të sëmurët e tjerë, duke u dhënë një dorë asistentëve shumë të dhembshur të Qendrës ”Zoja e Provanisë Hyjnore”.
Pastaj, Papa Françesku lan këmbët e Samuelit, 66 vjeç. Kur ishte tre vjeç u sëmur me poliomelit, plagë endemike për fëmijët e atyre viteve. Vetë themeluesi i Fondacionit, don Karlo Njoki iu pat kushtuar me mish e shpirt edhe të sëmurëve, të gjymtuar nga kjo sëmundje. Familja e Samuelit, që kishte mbetur me këmbë të paralizuara, nuk ishte në gjendje t’i garantonte as kujdesin mjekësor, as shkollën e përshtatshme. Jeta i ndryshon pikërisht kur njihet me Veprën e don Njokit. Nga provinca e Akuilës, në moshën 13 vjeçare, Samueli transferohet në Romë, ku fillon të ecë në udhën e ringjalljes. Këtu, dikush kujdeset për të, e mjekon, e arsimon, e formon profesionalisht dhe i gjen edhe punë. Në Qendër gjen edhe gruan e vet, me të cilën martohet. Samueli nuk është larguar më nga Fondacioni, duke u bërë punonjës i tij, deri në moshën e pensionit, të cilën e arriti para pak ditësh.
Ndërmjet të dymbëdhjetëve, edhe një mysliman. Quhet Hamed (Ahmet në shqip), 75 vjeç, nga Libia. Ka punuar për vite me radhë në Dhomën e Tregtisë Italo-Arabe. Pas një aksidenti rrugor, pësoi dëme të mëdha në tru. Edhe ai kurohet me terapi rehabilituese nga Fondacioni “Don Karlo Njoki”.











All the contents on this site are copyrighted ©.