2014-04-17 18:50:26

Françesku në Meshën e Bagmit: gëzimi i meshtarit vjen nga Zoti e nga populli


Kisha ka nevojë për meshtarë gazmorë e besnikë ndaj Krishtit e popullit të Hyjit. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë Meshës së Bagmit, kryesuar sot paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kushtuar të gjithë meshtarëve të botës, që në këtë ditë përsërisin premtimet e bëra në çastin e shugurimit. Gjatë kremtimit, Papa bekoi vajrat e të sëmurëve, të katekumenëve dhe bagmin.

Nga buron gëzimi i meshtarit? Është pyetja, që Papa Françesku ua drejtoi mbarë meshtarëve të botës, duke nisur nga ata, që ishin aty, përpara tij, të cilët, me bardhësinë e veshjeve të tyre, dukeshin, nga lart, si gurë të ndritshëm të një mozaiku, ndërmjet mermereve polikrome të Bazilikës së Shën Pjetrit. Papa mbajti një homeli të gjatë, të thellë, të hollësishme, sipas stilit injacian, me tri pika kryesore, duke nënvizuar se gëzimi i meshtarit është pasuri e çmuar jo vetëm për atë vetë, por edhe për mbarë popullin besnik të Hyjit: atë popull besnik, në mes të të cilit meshtari thirret për t’u vajuar e për të vajuar! Meshtari është njeri tejet i vogël, në krahasim me madhështinë e pamatshme të dhuratës së shugurimit:
“Meshtari është më i varfëri ndërmjet njerëzve, nëse Jezusi nuk e pasuron me varfërinë e tij; është shërbëtori më i kotë, nëse Jezusi nuk e quan mik; më i pamendi ndër njerëz, nëse Jezusi nuk e mëson me durim, si Pjetrin; më i pambrojturi ndër të krishterë, nëse Bariu i Mirë nuk i jep forcë në mes të grigjës. Askush nuk është më i vogël, se meshtari i lënë në mëshirën e forcave të veta”.
E, duke u nisur nga kjo vogëlsi, shtoi Papa, e pranojmë me gjithë zemër gëzimin tonë. Gëzim, në vogëlsinë tonë, tha Françesku, e në vijim foli për tri karakteristikat domethënëse të gëzimit meshtarak. Është gëzim, pohoi, që na lyen me vaj, nuk na përlyen, nuk na bën mendjemëdhenj, fodullë. Është gëzim i pacënueshëm, gëzim misionar, që rrezaton mbi të gjithë, që i tërheq të gjithë, duke nisur nga fundi: nga më të largëtit. Është gëzim që vajon, vijoi, që depërton në thellësitë e zemrës sonë, që formon e përforcon sakramentalisht. Është gëzim, që buron nga shpirti, shtoi Papa, është jehonë e këtij vajimi. E pastaj, është gëzim i pacënueshëm, të cilit askush në botë nuk mund t’i heqë e as t’i shtojë gjë. Është burim i pashterrshëm gëzimi, që na e
premton Zoti vetë e që askush nuk mund të na e prekë. Edhe nëse dremit e i merret fryma nga mëkati a trazirat e vazhdueshme të jetës, në fund të shpirtit mbetet i pashuar, si prushi në cep të vatrës, i mbuluar nga hiri, por gati për t’u rindezur, sapo dikush t’i fryjë a t’i shtojë dru. Është gëzim misionar, sepse në lidhje të ngushtë me popullin e shenjtë e besnik të Hyjit. Ky gëzim, i ardhur nga Zoti, theksoi Papa, ruhet edhe nga vetë grigja, që u besohet barinjve:
“Edhe në çastet e trishtimit, kur gjithçka duket sikur pushtohet nga errësira e marramendja e izolimit, çaste amullie e mërzie, që nganjëherë nuk mungojnë gjatë jetës meshtarake (gjë që e kam provuar edhe unë vetë) ky gëzim na josh. E deri në këto çaste populli i Hyjit është i aftë të na e ruajë gëzimin, të na e mbrojë, të na përqafojë, të na ndihmojë ta hapim zemrën e ta rigjejmë gëzimin”.
Një gëzim, saktësoi Papa, të cilin e ruajnë edhe tri motrat, që na rrethojnë e na mbrojnë: motra varfëri, motra besnikëri, motra bindje:
“Meshtari është i varfër në gëzime njerëzore, heq dorë nga shumë gjëra! E me që është i varfër, ai, që u jep shumë të tjerëve, gëzimin e tij duhet t’ia kërkojë Zotit dhe popullit besnik të Zotit. Nuk duhet ta sigurojë vetë. E dimë se populli ynë është tepër bujar ndaj meshtarëve, i falënderon nga zemra për gjestet më të vogla të bekimit, e, në mënyrë të posaçme, për sakramentet. Shumë flasin për krizën e identitetit meshtarak, pa llogaritur se identitet do të thotë përkatësi. Nuk ka identitet, e as gëzim të të jetuarit, pa përkatësi aktive e të impenjuar të popullit besnik të Hyjit”.
E këtë identitet, vërejti Françesku, meshtari e gjen duke dalë nga vetvetja. Nëse nuk del nga vetvetja, u kujtoi Papa meshtarëve, vaji prishet e vajimi nuk mund të japë fryt. Të dalësh nga vetvetja, do të thotë të zhvishesh nga vetvetja, do të thotë të jesh plotësisht i varfër. Françesku u ndalua, kështu, tek besnikëria ndaj Nuses së vetme, Kishës. Këtu, theksoi, gjindet kyçi i fekonditetit, e jo aq në kuptimin se jemi të gjithë të panjollë. Ku e merr të ishim kështu, me hirin e Zotit:
“Bijtë shpirtërorë, që i jep Zoti çdo meshtari, ata që pagëzon, familjet që bekon, e ndihmojnë të ecë; të sëmurët që ndihmon, të rinjtë që katekizon e formon, të varfërit, që i mban gjallë… janë këta “Nusja” që ai dëshiron me gjithë zemër ta trajtojë si të zgjedhurën e zemrës, si të vetmen të dashur, të cilën nuk dëshiron ta tradhtojë kurrë”.
Është Kisha e gjallë, me emër e mbiemër, shpjegoi, për të cilën meshtari kujdeset në famullinë e vet, ose në misionin, që i është besuar, kur bën gjithçka,që duhet të bëjë e lë gjithçka, që duhet lënë, për të qenë gjithnjë besnik, në mes të deleve, të cilat ia besoi vetë Zoti. E gëzimi i meshtarit ka motër bindjen ndaj Kishës, nënshtrimin, dëgjesën ndaj Kishës, në shërbim:
Gatishmëria e meshtarit e bën Kishën, Shtëpi me porta të hapura; strehë të mëkatarëve, vatër të njerëzve, që jetojnë rrugëve; shtëpi mjekimi për të sëmurët; kamp çlodhjeje, për të rinjtë; klasë katekizmi, për fëmijët e Kungimit të parë…. Atje ku populli i Hyjit ka një dëshirë a një nevojë, atje është edhe meshtari, që di të dëgjojë (ob-audire), ndjen se ka mandatin plot dashuri të Krishtit, që e dërgon të ndihmojë me mëshirë nevojtarin, të mbështesë dëshirat e mira, me dashuri krijuese”.
Ai, që është i thirrur, siguron Papa, e di mirë se në këtë botë ekziston një gëzim i vërtetë, i plotë, gëzimi i atij, që dërgohet në gjirin e popullit si njeri, që shpërndan dhuratat e ngushëllimet e Jezusit, të vetmit Bari të Mirë.
Në pjesën e fundit të homelisë, Papa i drejtoi Zotit një lutje të posaçme për meshtarët e rinj:
Ruaje, o Zot, në zemrën e meshtarëve të rinj, gëzimin e nisjes për ta bërë gjithçka si të re, ruaje gëzimin, që buron nga shkrirja e gjithë jetës për Ty”.
Ati i Shenjtë iu lut, në përfundim, Zotit, që të shkëlqejë në botë gëzimi i meshtarëve të moshuar, të shëndoshë a të sëmurë:
“Është gëzimi i Kryqit, i cili buron nga vetëdija e pasjes së një thesari, që nuk prishet kurrë, mbyllur në një enë balte, që prishet. Uroj të jenë mirë kudo, duke ndjerë, në brishtësinë e kohës kalimtare, shijen e amshimit (Guardini). Ta ndjejnë, o Zot, gëzimin e kalimit të pishtarit nga breznia në brezni, të kenë gëzimin për t’i parë duke u rritur bijtë e bijat e për t’i përshëndetur, me buzë në gaz e ëmbëlsisht, premtimet, me atë shpresë, që nuk të zhgënjen”.










All the contents on this site are copyrighted ©.