2014-04-17 15:29:27

Eukaristia, sipas Shën Ambrozit


Është Dita e themelimit të Eukaristisë, sot! Duhet ta njohim thellësisht, për të hyrë në zemër të misterit. Të ndjekim, prandaj, predikatarin e Shtëpisë papnore, Atë Raniero Kantalamesën që, duke u mbështetur tek vepra e Shën Ambrozit, na flet për dhantinë e paçmuar të Zotit, në darkën e mbrame, në sa thyen bukën: “Kjo bukë, është thjesht bukë, para fjalëve sakramentore; kur shugurohet, nga bukë, bëhet korp i Krishtit”.
Kështu e shpjegon Shën Ambrozi praninë reale të Krishtit në Eukaristi, si prani jo fizike, por sakramentore, ndërmjetësuar nga shenjat, që janë buka e vera, ku është fjala e Krishtit ajo, që e kryen Sakramentin. Kur Krishti bëhet korp mbi elter, nuk duhet harruar vepra e Shpirtit Shenjt, element që ipeshkvi i Milanos nuk e zhvillon në katekizmin e tij. Por nëse Ambrozi hapi udhën për kuptimin e misterit të Eukaristisë, sot duhet shqyrtuar mirë modeli i tij hebraik, që krijon mundësitë për të pasur një vizion më të qartë:
“Nuk mund ta kuptojmë Eukaristinë, nëse nuk e shikojmë si përmbushje të asaj, që bënin e thoshin hebrenjtë, gjatë sofrës së tyre rituale. Vetë emri Eukaristi nuk është tjetër, veçse përkthim i fjalës hebraike Beraka, lutje e bekimit dhe e falënderimit, që kremtohej gjatë kësaj sofre shenjte”.
Eukaristia e krishterë, atëherë, siç e lexojmë edhe në veprën “Jezusi i Nazarenit” të Benediktit XVI, vëren atë Kantalamesa, mund të mendohet si zhvillim i berakës hebraike; prej këndej, mund të themi se Eukaristisë i parapriu pikërisht sofra rituale hebraike e judenjve. Është Jezusi, pastaj, që i jep jetë lidhjes ndërmjet Eukaristisë e vdekjes së Tij në kryq, ku, sipas Gjonit, realizohet figura e qengjit të Pashkëve, të cilit nuk i thyhet asnjë asht. Por ja edhe risia që solli Krishti:
“Luka thotë se pasi hëngri darkën, Jezusi mori kelkun e tha: ‘Ky kelk është i besëlidhjes së re në Gjakun tim, që u derdh për ju’. Diçka vendimtare ndodh, kur Jezusi ia shton këto fjalë formulës së lutjes së falënderimit, domethënë berakës hebraike. E, në çastin kur Jezusi shqipton këto fjalë të thjeshta, është njëlloj si të thoshte: ‘Deri këtu, sa herë që e kremtuat këtë sofër rituale, përkujtuat dashurinë e Zotit shpëtimtar, që ju nxori nga Egjipti. Tani e tutje, sa herë ta përsërisni këtë që bëmë sot, nuk do ta bëni më për të përkujtuar shpëtimin nga një skllavëri materiale, nëpër gjakun e një frymori; do ta bëni në përkujtimin tim, Birit të Zotit, që dhuroi Gjakun për shpërblimin e mëkateve tuaja. Deri tani keni ngrënë shujtë normale, për të kremtuar një çlirim normal, material; tani do të më hani mua, shujtë hyjnore e flijuar për ju, për t’u bërë një gjë e vetme. E do të më hani e do të pini në kelk Gjakun tim, në vetë aktin, në të cilin unë flijohem për ju. Kjo është besëlidhja e re dhe e amshuar”.
E pastaj, fjalët “bëjeni këtë në kujtimin tim”: përmes tyre Jezusi i hap një horizont të pamasë dhuratës së Tij. Kërkon të përsëritet ajo çka bëri, që figura e qengjit të Pashkëve, i cili mbi Kryq shndërrohet në ngjarje, në darkë, të na jepet si sakrament, domethënë, si kujtim i përhershëm i ngjarjes. Ngjarja ndodhi një herë të vetme, sakramenti ndodh sa herë, që e duam. E përkujtimi, që ishte peng i besnikërisë së Zotit ndaj Izraelit, tani është korp i thyer e gjak i derdhur i Birit të Zotit. Është flija e Kalvarit, e riparaqitur, domethënë, përsëri e përsëri e pranishme:
Në Eukaristi ndodhin dy mrekulli; njëra është ajo, që e bën bukën e verën, korp e gjak i Krishtit; tjera, ajo që na bën ne, fli të gjallë, të pëlqyer nga Zoti, e cila na bashkon me flijimin e Krishtit, si aktorë, jo si spektatorë”.
Në këtë bukë e në këtë verë, praktikisht, jemi edhe ne. Pikërisht kjo ndodh në Meshë:
Të mendojmë një familje të madhe, me shumë fëmijë, njëri nga të cilët, djali i madh, i shumëdashur nga i ati. Për festën e babait ky djalë, që dëshiron t’i bëjë një dhuratë babait u kërkon fshehurazi, të gjithë vëllezërve e motrave të nëshkruajnë mbi dhuratën. Kështuqë babai e merr dhuratën, si t’ia kishin bërë të gjithë, e gjithë familja, pavarësisht nga fakti se e pagoi vetëm një, djali i madh. Pikërisht kjo ndodh në Meshë. Jezusi e do pambarimisht Atin e vet qiellor. Ati qiellor është gjithçka për Jezusin, është bërthama e zjarrtë e Vetjes së tij, është ai, që i jep forcë të ecë përpara, edhe drejt kryqit. Do, pra, Jezusi! E do Atin. Dëshiron t’i bëjë një dhuratë, por jo vetëm një herë. Dhuratën më të madhe në botë, vetë jetën e Tij, nënshtrimin e Tij deri në fund të fundit, deri në vdekje. Por, para se t’ia falë këtë dhuratë Atit, u kërkon të gjithë vëllezërve e motrave, që jemi ne, të vënë firmën mbi dhuratën, për të shkuar në dorë të Atit qiellor, si të ishte dhuratë e të gjithë bijve, e mbarë familjes së tij, pavarësisht se vetëm njëri e pagoi çmimin e saj, e çfarë çmimi!”.
Nënshkrimi ynë janë pak pika uji, që përzjehen me verë në kelk; nënshkrimi ynë, shpjegon Shën Agostini, është posaçërisht ai Amen, që besimtarët e shqiptojnë në çastin e Kungimit.









All the contents on this site are copyrighted ©.