2014-04-16 14:53:12

Urimet e Këshillit Ekumenik të Kishave për Pashkë


Në mesazhin e Pashkëve, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave, pastori Olav Fykse Tveit (Olaf Fikse Tveit), nënvizon se këtë vit festa bie në të njëjtën datë, më 20 prill, për të krishterët e Lindjes dhe të Perëndimit dhe ky përkim përbën një “rast të volitshëm për ta dëshmuar bashkarisht ringjalljen”.
“Kjo është një ngjarje që do të ishte mirë të vërtetohej çdo vit, me qëllim që të arrijmë bashkimin e të krishterëve, në shërbim të dëshmisë së përbashkët në botë”, shkruan pastori Tveit. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave u bën thirrje Kishave “të veprojnë me vendosmërinë më të madhe, në kërkim të rrugës drejt gjetjes së një date të përbashkët për këtë festë”. Ai kujton se mbledhja e Halebit, më 1997, e pati tërhequr vëmendjen tek fakti se “duke kremtuar Festën e festave në data të ndryshme, Kishat japin dëshminë e ndarjes në një pikë themelore të fesë së apostujve dhe dëmtojnë kështu besueshmërinë e tyre, si edhe përçimin me sukses të Shpirtit të Shenjtë në botë”.
Duke i siguruar të gjithë, kudo në botë, për lutjen e tij, pastori Tveit përmend veçanërisht Sirinë dhe Lindjen e Mesme, rajone në gjendje të mjerueshme, për shkaqe natyrore e njerëzore. Ai lutet për fundin e dhunës në Ukrainë, në Sudanin e Jugut, në Nigeri dhe në Republikën e Afrikës Qendrore.








All the contents on this site are copyrighted ©.