2014-04-16 14:53:24

Sudani i Jugut. Udhëheqësit e krishterë bëjnë thirrje për ndalimin e dhunës


“Gjendja aktuale nuk mund të ndalohet në asnjë mënyrë me mjete ushtarake. Përkundrazi, lufta e zgjat dhe e rëndon këtë situatë të padëshirueshme. Palët në konflikt duhet t’i vënë interesat e popullit përmbi ambiciet personale” pohon një deklaratë e Këshillit të Kishave të Sudanit të Jugut, organizëm që bashkon udhëheqësit e Kishave kryesore të krishtera të Sudanit të Jugut (përfshirë Kishën katolike).
Udhëheqësit fetarë u bëjnë thirrje luftëtarëve të respektojnë armëpushimin e firmosur më 23 janar në Addis Abeba, për të cilin pohojnë se “është shumë i brishtë dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet fort që të dyja palët ta respektojnë”.
Luftimet kanë shkaktuar një krizë të rëndë humanitare, prandaj të krishterët kërkojnë jo vetëm të marrin fund armiqësitë, po edhe zhbllokohen ndihmat ndërkombëtare për të shpërngulurit, pronat e të cilëve janë shkatërruar. Duke përmendur referendumin e 2011-ës, që solli pavarësinë nga Sudani, dokumenti përfundon me këtë pohim: “Kjo nuk është e ardhmja për të cilën votoi popullsia. Ajo dëshiron një shtet të lirë dhe të pavarur. Populli votoi për të jetuar në paqe dhe i bashkuar, me dashuri për të gjithë, si vëllezër e motra të popullit të Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.