2014-04-16 14:52:25

Papa në audiencën e përgjithshme: në të Kryqëzuarin të puthim plagët e njerëzimit


Në misterin e mundimeve të Krishtit shikojmë vuajtjet e mbarë njerëzimit, që do të shpërblehen në ringjallje: me këto fjalë mund ta përmbledhim katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur nga Papa Françesku në prag të Triditshit të Pashkëve. Para katekizmit, Papa bëri rrotullimin tradicional me xhipin e tij, në gjirin e turmës së besimtarëve, duke shtrënguar duar e duke puthur fëmijë e të sëmurë.RealAudioMP3

Papa e shtjelloi katekizmin, kushtuar mundimeve të Jezusit, duke u nisur nga akti dramatik i tradhtisë së Judës. Zoti, shpjegoi, zgjedh, me liri të plotë, rrugën e poshtërimit e të zhveshjes nga gjithçka, deri në vdekjen në kryq. Është vdekja më e keqe, më e turpshme. Vdekja, me të cilën i mbyllnin ditët e jetës skllevërit, keqbërësit, kriminelët. Duke e parë Jezusin në mundime, vijoi Ati i Shenjtë, shikojmë, si në pasqyrë, edhe vuajtjet e mbarë njerëzimit e gjejmë përgjigjen hyjnore për misterin e së keqes, të dhimbjes, të vdekjes. Por shpesh herë, shtoi, e keqja na tmerron, dhimbja, që na rrethon, na dhemb fort në shpirt e nuk mund të mos pyesim: Pse e lejon Zoti? Mundim i madh për të drejtin të shohë vuajtje e vdekje, pa mundur të bëjë asgjë për t’ia ndryshuar faqen e zymtë botës. Tmerr i madh, për zemrat e ndjeshme, të shikojnë të pafajshmit duke u kryqëzuar, edhe sot, kur ecim pas Krishtit në udhën e Kalvarit:
“Kur shikojmë fëmijët, duke vuajtur, kjo na hap një plagë të thellë në zemër. Jemi para misterit të së keqes. E Jezusi e merr gjithë këtë të keqe, gjithë këtë vuajtje, mbi vete. Këtë javë na bën mirë të gjithëve t’ia ngulim sytë të Kryqëzuarit, t’ia puthim plagët, ta puthim atë, që kryqëzohet për ne të gjithë”.
Ne, vijoi Papa, presim që Zoti, në gjithëfuqinë e Tij, ta mundë padrejtësinë, të keqen, mëkatin dhe vuajtjen, me një fitore triumfuese:
“Po Zoti fiton përvujtërisht, me një fitore që, parë me syrin njerëzor, duket si disfatë e plotë. E mund të themi: Zoti fiton pikërisht në disfatë. Biri i Hyjit, në kryq, na duket si njeri i mundur; vuan, tradhtohet, poshtërohet e në fund, edhe vdes. Jezusi e lejon të keqen të shfrejë me gjithë duhinë e saj mbi të, e merr mbi vete, për ta mundur”.
Përvujtëria e madhe e Zotit, nënvizoi Papa, është mister tronditës. Po, pikërisht atëherë, kur gjithçka duket e humbur, pikërisht atëherë ndërhyn Hyji me pushtetin e ngjalljes. Ngjallja e Jezusit nuk është përfundim i lum i një përralle, nuk është fund gazmor i një filmi, por është ndërhyrja e Hyjit Atë atje, ku shpresa njerëzore mposhtet plotësisht. Çasti kur gjithçka duket e humbur, çasti i dhimbjes, çasti kur ndjehet nevoja për të zbritur nga kryqi, pikërisht ky është çasti më afër ringjalljes. Nata bëhet më e errët, para se të shkrepë rrezja e parë, nësa zbardh agimi. Në çastin më të errët, arrin e ndrin vetë Zoti. Ringjall. E Jezusi, që e ka zgjedhur këtë udhë, na fton ta ndjekim përvujtërisht:
“Kur në disa çaste të jetës nuk gjejmë asnjë rrugëdalje, kur zhytemi në gjirin e errësirës më të dendur, është ora e poshtërimit tonë, e zhveshjes së plotë, është ora, kur provojmë barrën e mëkatit, kur e ndjejmë veten mëkatarë. E pikërisht atëhere, atë çast, ne duhet ta flakim maskën e dështimit tonë e t’ia hapim zemrën Zotit, plot me besim e shpresë në pushtetin e Tij, siç bëri Jezusi”.
Papa përsëriti ftesën:
Këtë javë mendojmë shumë për dhimbjen e Jezusit e themi me vete: ‘Kjo është për mua. Edhe po të isha njeriu i vetëm në botë, Ai do ta kishte bërë njëlloj. E bëri për mua’. E puthim kryqin e themi: ‘Për mua. Faleminderit, Jezus! Për mua!”.
Së fundi, duke përshëndetur shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i grishi të ecin këto ditë pas Nënës së Jezusit, për të arritur, të sigurt, në Pashkët e ngjalljes:
Merreni si mike e model jete, Virgjërën Mari, që ndenji pranë kryqit të Jezusit, duke e dashur, edhe ajo, deri në fund të fundit. E kush do, kalon nga vdekja në jetë. Është dashuria, që i bën Pashkët-Pashkë”.










All the contents on this site are copyrighted ©.