2014-04-16 14:52:59

Kardinali Parolin: tepër të krishterë në botë janë të përndjekur


Edhe sot e kësaj dite “në kontekste të ndryshme, shumë vëllezër e motra tonat janë objekt i urrejtjes kundër të krishterëve”. Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, kujtoi martirët e rinj në meshën e organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit dje pasdite në Romë.
Nerëz si ne, me frikë si ne e të dobët si ne, e, megjithatë, duken si “heronj, larg kufizimeve dhe kundërshtive tona”. Janë të krishterët, që jetojnë në vendet ku, po të thuash se je i krishterë, rrezikohet jeta. Kardinali Pietro Parolin citon një homeli të bujshme, që mbajti Papa Françesku para një viti, në të cilën pati thënë se edhe “në shekullin XX Kisha jonë është Kishë martirësh”. “Në kontekste të ndryshme – përsëriti Sekretari i Shtetit – shumë vëllezër e motra tonat janë objekt i urrejtjes kundër të krishterëve. Nuk i përndjekin për shkak se u mohojnë një pushtet tokësor, politik, ekonomik apo ushtarak, por pikërisht sepse janë dëshmitarë të bindur të një vizioni të ndryshëm të jetës, me përulje, shërbim, liri, që burojnë nga feja”. Gjeografia e përndjekjeve, tha Kardinali, është e gjerë: Nigeria, Pakistani, Indonezia, Iraku, Kenia, Tanzania, Republika e Afrikës Qendrore. Dhe jo vetëm katolikët, por edhe ortodoksët, ungjillorët dhe anglikanët duhet të paguajnë çmimin e koherencës për dashuri ndaj Jezusit. “Dëshmitarët e fesë – pati thënë në një rast Gjon Pali II – nuk e kanë mbajtur mirëqenien e vet dhe mbijetesën, si vlera më të rëndësishme se besnikëria ndaj Ungjillit”. T’u jemi mirënjohës – përfundoi Imzot Parolin – që rrinë në tokat e tyre “pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve” për ta bërë të njohur kudo emrin e Zotit Jezus, burimi i vërtetë i globalizimit të dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.