2014-04-16 17:07:34

Benedikti XVI mbushi 87 vjeç: urimet e Papës Françesku


Kisha mbarë e uron sot Benediktin XVI për ditëlindjen e tij të 87-të. Papa Françesku e uroi me telefon, duke e siguruar se sot u lut posaçërisht për të, në Meshën Shenjte. Me që jemi në vijim të Javës së Madhe, Benedikti XVI deshi ta kalonte ditën në lutje, pa forma të veçanta festimi. Njoftimin e jep, përmes një note, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi.
Papa i nderit lindi më 16 prill 1927, në Marktl am Inn, një qytezë e Bavarisë. Jeta e tij tregohet në një mori librash e, ndërmjet tjerash, edhe në një autobiografi të Jozeph Ratzinger, pa harruar çaste të ndryshme, gjatë papnisë, sidomos në takimet me fëmijët e të rinjtë. kur Benedikti kujtonte ngjarje të ndryshme të rinisë.RealAudioMP3
Tani, që i kalon ditët në heshtje të plotë, në studim e lutje, fare pranë mjediseve të papnimit të tij, Kisha vijon ta shikojë Benediktin si mësues të madh të saj.
Njeri i pajisur me dhanti të rralla, i rrethuar nga simpatia e nderimi publik i mbarë botës. Ky është Benedikti XVI, që e nisi jetën në një familje të thjeshtë gjermane, të cilën e përshkruan shumë herë me mall e nderim të thellë. Duke u ndaluar posaçërisht tek të dielat, në gjirin e saj:
“E diela niste që të shtunën pasdite. Im atë fillonte leximet e së dielës. Të nesërmen shkonim në Meshë. Shtëpia ime ishte fare pranë Salcburgut, kështu kishim shumë muzikë - Mozart, Schubert, Haydn – e kur fillonte Kyrie, ishte si të hapej vetë qielli. E pastaj, në shtëpi, ishte e rëndësishme dreka së bashku. E kënga e përbashkët. Këndonim shumë: im vëlla është muzikant i madh. Ka kompozuar që kur ishte fëmijë, për ne të gjithë. Kështu e gjithë familja këndonte. Babai i binte qestes e i printe këngës; ishin çaste të paharrueshme” (Takimi botëror me familjen, 2 qershor 2012).Kujtime e vlera, në përvjetorin e 87- të Benediktit, që vijon të na tregojë rrugën e sigurt, të gjatë, të lume, edhe në rrethana krejt të jashtëzakonshme, që i njohim të gjithë, po që jo të gjithëve u takon t’i provojnë në jetë. Çaste tejet të rralla edhe në historinë e njerëzimit, për një papë që, duke hequr dorë nga papnia, vijon të jetë model e shembull i dashurisë për Kishën Katolike dhe mbarë njerëzimin, me përkushtimin e tij të padiskutueshëm. Urime, prandaj. Njëqind vjet na duken tepër pak!







All the contents on this site are copyrighted ©.