Benedikti XVI mbushi 87 vjeç: urimet e Papës Françesku
Kisha mbarë e uron sot Benediktin XVI për ditëlindjen e tij të 87-të. Papa Françesku
e uroi me telefon, duke e siguruar se sot u lut posaçërisht për të, në Meshën Shenjte.
Me që jemi në vijim të Javës së Madhe, Benedikti XVI deshi ta kalonte ditën në lutje,
pa forma të veçanta festimi. Njoftimin e jep, përmes një note, drejtori i Sallës së
Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Papa i nderit lindi më 16 prill
1927, në Marktl am Inn, një qytezë e Bavarisë. Jeta e tij tregohet në një mori librash
e, ndërmjet tjerash, edhe në një autobiografi të Jozeph Ratzinger, pa harruar çaste
të ndryshme, gjatë papnisë, sidomos në takimet me fëmijët e të rinjtë. kur Benedikti
kujtonte ngjarje të ndryshme të rinisë. Tani, që i kalon
ditët në heshtje të plotë, në studim e lutje, fare pranë mjediseve të papnimit të
tij, Kisha vijon ta shikojë Benediktin si mësues të madh të saj. Njeri i pajisur
me dhanti të rralla, i rrethuar nga simpatia e nderimi publik i mbarë botës. Ky është
Benedikti XVI, që e nisi jetën në një familje të thjeshtë gjermane, të cilën e përshkruan
shumë herë me mall e nderim të thellë. Duke u ndaluar posaçërisht tek të dielat, në
gjirin e saj: “E diela niste që të shtunën pasdite. Im atë fillonte leximet
e së dielës. Të nesërmen shkonim në Meshë. Shtëpia ime ishte fare pranë Salcburgut,
kështu kishim shumë muzikë - Mozart, Schubert, Haydn – e kur fillonte Kyrie, ishte
si të hapej vetë qielli. E pastaj, në shtëpi, ishte e rëndësishme dreka së bashku.
E kënga e përbashkët. Këndonim shumë: im vëlla është muzikant i madh. Ka kompozuar
që kur ishte fëmijë, për ne të gjithë. Kështu e gjithë familja këndonte. Babai i binte
qestes e i printe këngës; ishin çaste të paharrueshme” (Takimi botëror
me familjen, 2 qershor 2012).Kujtime e vlera, në përvjetorin e 87- të Benediktit,
që vijon të na tregojë rrugën e sigurt, të gjatë, të lume, edhe në rrethana krejt
të jashtëzakonshme, që i njohim të gjithë, po që jo të gjithëve u takon t’i provojnë
në jetë. Çaste tejet të rralla edhe në historinë e njerëzimit, për një papë që, duke
hequr dorë nga papnia, vijon të jetë model e shembull i dashurisë për Kishën Katolike
dhe mbarë njerëzimin, me përkushtimin e tij të padiskutueshëm. Urime, prandaj. Njëqind
vjet na duken tepër pak!