Shtesë në faqet e një libri të zi, që flet për terrorin e kuq
Portretet e 40 martirëve, dëshmitarë të fesë në Shqipëri, që pritet të lartohen në
nderimet elterit e që na shoqëruan 40 ditë me radhë gjatë 40 ditëve të Krezhmëve 2014,
shërbejnë edhe për të plotësuar ndjeshëm një libër të zi, që flet për krimet e terrorit
të kuq. Nga librat e shumtë,
që janë shkruar për këta krime, ai që ngjalli polemika më të forta, është "Le livre
noir du comunisme" - Crimes, terreur, répresion" (Libri i zí i komunizmit - krime,
terror, dhunë), i cili tashmë është përkthyer edhe në shqip. Vepra, botuar me
rastin e 80-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, tingëllon si kritikë e ashpër edhe
ndaj qëndrimit të partive komuniste perëndimore (ish e mbas-komuniste) të cilat, duke
heshtur për krimet e shëmtuara të Leninit, Stalinit, Mao Ce Dunit, Pol Potit dhe nxënësve
të tjerë besnikë të këtyre gjenive të krimit, si Enver Hoxha, u bënë bashkëpunëtore
të terrorit të kuq, që mbyti shumë më tepër njerëz, sesa nazizmi. E jo më pak tingëllon
si qortim ndaj të gjithë atyre, që mund të flisnin, e nuk folën; që mund të shkruanin,
e nuk shkruan; mund të denonconin, e nuk e bënë; e vijojnë edhe sot e kësaj dite
t’i mbulojnë, me fjalë e vepra, gjurmët e përgjakura, që të çojnë ndër mijëra gropa
të njohura e të panjohura. E nuk kanë frikë t'i përdorin eshtrat e të martirizuarve
si shtiza për flamujtë e rinj. Për t’i shpalosur në betejën e falsifikimit të historisë,
të heshtjes e të harresës! Por, të rikthehemi te “Libri i zi i komunizmit të kuq”.
Në se mendja e sëmurë e Adolf Hitlerit çoi në varr 6 milionë njerëz, mbi kafkat e
të cilëve ëndërroi të lartojë Gjermaninë sovrane, sundimtare të botës, komunizmi ua
mori jetën më se 80 milionë njerëzve, për të vetmen arsye, se ishin kundërshtarë të
kësaj ideologjie, e cila shkatërroi ekonomikisht e shpirtërisht, gjysmën e botës.
Është ky, pohimi i autorëve të librit me 850 faqe, vepër kolektive e shkruar nën
drejtimin e Stéphan Courtois në bashkëpunim me pesë studiues të tjerë me autoritet
në njohjen e historisë së kohëve tona: Werth, Panné, Paczkowski, Bartosek, Margolin. Botimi
i këtij libri në Francë, i shqetësoi pa masë socialistët si dhe kryeministrin e asokohshëm,
Jospin, në qeverinë e të cilit militonin katër ministra komunistë. Komunistët e
djeshëm e të sotëm, pavarësisht nga emrat e rinj, i tërbon më tepër fakti se libri
nuk është ndonjë prej pamfleteve të dosidoshme të propagandës antikomuniste, që kalojnë
pa u vënë re, apo vepër, së cilës mund t'i kundërvihet lehtësisht ndonjë prej atyre,
që shkrinë gjeninë e vet djallëzore, për t’i ndihmuar diktatorët në ngritjen e piramidës
me kafka, nga maja e së cilës vijojnë t'i shikojnë popujt e martirizuar. Është një
vepër me dokumentim të shkëlqyer e të pakundërshtueshëm, nënshkruar nga shkencëtarë
kompetentë, të cilët, për ta realizuar veprën, hynë deri në arkivat e KGB-së si edhe
në arkivat-bija të sigurimit të kuq të Kremlinit, hapur pas shembjes së Murit të Berlinit.
Por, sa hynë në fshehtësitë e arkivave të sigurimit të kuq shqiptar? Pak e aspak.
E dëshmojnë ketë faqet, të cilat i kushtohen terrorit të kuq në Shqipëri, faqe tepër
të zbehta, që nuk i ngacmuan e as i shqetësuan aspak ata, të cilët duhet të tmerroheshin
duke menduar shëmtimet, kryer gjatë një gjysëm shekulli. Shqipëria përmendet aty këtu
me ndonjë frazë a shprehje kalimtare, në përkim me tematikën që trajtohet, ndërsa
drejtpërdrejt i kushtohet vetëm një gjysë faqje, ku vihet në dukje kryesisht martirizimi
i klerit katolik.Shkruhet, pra: «Dhuna e parë kundër fesë...... ka mundësi
të jetë ushtruar në Shqipëri. Primati Gaspar Thaçi, argjipeshkëv i Shkodrës, vdiq
në arrest shtëpijak, ndërsa ishte në duart e policisë sekrete. Vincent Prendushi,
argjipeshkëv i Durrësit, i dënuar me tridhjetë vjet punë të detyruar, vdiq në shkurt
1948; pesë klerikë, ndërmjet të cilëve ipeshkvijtë Volaj e Gjini, vikari i delegacionit
apostolik, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan. Më se njëqind rregulltarë e rregulltare,
famullitarë e seminaristë u ekzekutuan ose vdiqën në burg. Gjatë këtij salvimi, u
pushkatua të paktën një mysliman: Mustafa (Myzafer- shënimi ynë) Pipa, sepse mbrojti
françeskanët në gjyq... Nënvizojmë se më 1967 Enver Hoxha deklaroi që Shqipëria «ishte
bërë shteti i parë ateist në botë». E gazeta (revista- shënimi ynë) «Nëndori» njoftonte
me krenarí se të gjitha xhamitë e të gjitha kishat ishin shkatërruar ose mbyllur:
gjithsejt 2169, ndërmjet të cilave 327 ishin shenjtërore katolike.1 Kaq
vend zë Shqipëria e kuqe në librin e zí, në sa shqiptarët e martirizuar patën kujtuar
se e gjithë bota i kishte sytë ngulur mbi vendin e rrethuar nga telat me gjemba e
se së paku dëshmorë duhet t’i kishim dhënë lirisë së mendimit më shumë se çdo popull
tjetër! Kur doli libri, Parisi s' fliste për gjë tjetër, veçse për
të, ndonëse kryeqyteti i Francës nuk e pati fatin e zi ta provonte mbi kurrizin e
vet kthetrën e përgjakur të komunizmit real. Megjithatë, diskutimet e polemikat qenë
aq të zjarrta, sa arritën deri në ndeshje të ashpra në parlamentin francez ndërmjet
deputetëve liberalë e Jospin-it, për shkak se ky i fundit shqiptoi frazën e pamatur:
"Jam krenar që thirra komunistë në qeveri". .. Shifrat e statistikave të Librit
të Zi të komunizmit janë të frikshme: me gulagët, urinë, spastrimet e epokës staliniane,
ekzekutimet në masë dhe internimet e Pol Potit në Kamboxhia, me revolucionin kulturor
të Mao Ce Dunit e të nxënësve të tij besnikë, komunizmi, "kolera e vërtetë e kohës
sonë", korri mijëra jetë: 20 milionë janë viktimat e komunizmit në Bashkimin Sovjetik;
60 milionë në Kinë; 2 milionë në Kamboxhia; 2 milionë në Korenë e Veriut; 4-5 milionë
në vende si Afganistani, Afrika, Amerika Latine dhe satelitët e tjerë të komunizmit
në Evropën Qendër-Lindore. Sa vetë mbyti komunizmi në Shqipëri? As ketë nuk e di një
popull, që di shumë më tepër sesa statistikat e thata. Ashtu si e di mirë se në epokën
e sotme nuk ka më aleanca ideologjish, por aleanca interesash! 80 vjet komunizëm
- 85 milionë të vdekur, të deklaruar. Me të drejtë dikush ka shkruar se komunizmi
ndyshon prej nazizmit, si murtaja prej kolerës. Po cilat ishin viktimat e heshtura,
varrosur ndër gropa, shpesh herë të përbashkëta? - pyesin autorët e librit të zi të
komunizmit. Ishin fshatarët e pasur, që u quajtën kulakë, intelektualët më të ndritur,
klerikët më të aftë të epokës staliniane, "heretikët" e "revolucionit" kulturor të
Mao Ce Dunit, i cili, sipas gjykimit të Jean François Revel të Akademisë Franceze,
konsiderohet si krimineli më i madh i të gjitha kohëve. Komunistët pohonin se
"e vërteta është gjithnjë revolucionare" e nëse ndokush dyshonte në ketë pohim, i
vihej menjëherë vula e tradhtarit dhe e priste burgu apo internimi: kështu ndodhi
edhe me Arthur Koester-in, me Solgenitzin-in, me Kravçenkon, funksionarin e lartë
të sovjetikëve, që pati guximin të zbulojë krimet e shëmtuara të komunizmit, duke
iu nënshtruar për ketë, proceseve gjyqësore poshtëruese dhe vdekjes në mërgim. Disa
prej të mëdhenjve të Rusisë e patën edhe ketë fat - të cilin ata e quajtën, me të
drejtë, fatkeqësi: i dëbuan nga vendi. E ndërsa pushkatoheshin, internoheshin,
mërgoheshin, arratiseshin, bijtë më të mirë të gjithë popujve nën zgjedhë, komunizmi
vërtetonte se ishte ideologji krejt e paaftë për t’i dhënë popullit atë, që premtonte:
në botën e kuqe mbretëronte prapambetja më e zezë, niveli më i ulët i jetesës, uria
e mjerimi. Me pasoja të rënda mbi të sotmen. Populli vuante nga uria, po miqtë
e komunizmit, që vizitonin vendet e kuqe, deklaronin se nuk kishin jetuar kurrë më
mirë, sesa gjatë ditëve të vizitës. Kështu shkruante George Bernard Shaw; Julian Huxley
nuk e pat të vështirë të besonte se Stalini herë pas here zbriste nga Kremlini në
rrugë të madhe për t’u ndihmuar hamejve, që shkarkonin dengje nën dritaren e zyrës
së tij; Garcia Markez nuk ngurron të na përshkruajë një Fidel Kastro-ferishte të pafajshme,
që flijon gjithçka për të ndërtuar jetën e lumtur… E në komunizëm, kush dyshonte në
jetën e lumtur, që ndërtohej në vend, konsiderohej tradhtar, shërbëtor i imperializmit,
spiun i merimangës së zezë, që quhej Vatikan. Çfarë çmimi të lartë u detyruan
të paguanin popujt për ëndrrat gjakatare të një ideologjie, e cila mbolli shkatërrim
e vdekje, në emër të lumturisë së ardhme, që nuk u arrit, që nuk mund të arrihej,
sepse ideologjia e krimit e lumturia e popujve nuk mund të takohen kurrë. Autori
kryesor i librit, Stéphan Courtois, me të drejtë vëren se ndërsa nazistët u gjykuan
e u dënuan në Nuremberg, kriminelët komunistë nuk kanë dhënë endè llogari përpara
historisë së njerëzimit, ashtu si nuk kanë dhënë llogarí as para historisë së Shqipërisë,
ku nga varret e harruara lartohet zëri i njerëzve të masakruar, që lypin drejtësí.
E ndërmjet tyre, 40 kandidatët për t’u lartuar në nderimt e elterit, çështja e të
cil është në Kongregatën e Shenjtorëve, me të cilët ju njohëm në këtë galeri martirizimesh,
që mungon në “Librin e zi” të komunizmit, ku fatmirësisht nuk mungon analiza e thellë
e ideologjisë kriminale. E pas kësaj analize, autorët e Librit të zi, me të drejtë
pyesin: "Çfarë presin ende popujt nga partitë e së majtës?". Larg fanatizmit e
pasioneve të njëanshme, kjo Galeri është përpjekje modeste për t’u kujtuar njerëzve
thelbin e komunizmit, i cili jo vetëm nuk e do të vërtetën, por bën çmos që, në emër
të pajtimit të rremë, të hiqet dorë nga kërkimi i saj, gjë që përbën një krim të ri.
1 Courtois "Il Libro nero del comunismo" - Mondadori
Febbraio 1998, fq. 371; 391.