2014-04-15 15:48:17

Papa Françesku lutet për viktimat e zjarrit në Kili


Shpërthimi i një zjarri të madh në Valparaiso (Kili) solli vdekjen e të paktën katër personave dhe shkatërrimin e më se njëmijë shtëpive. Më se tremijë janë të shpërngulurit nga qyteti i bregdetit qendror të vendit amerikanojugor. Një nëpunës vendor deklaroi se zjarri mund të përfshijë edhe lagjet qendrore, ndërsa në shumë zona kjo fatkeqësi ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe me ujë.
Sot Papa Françesku i dërgoi ipeshkvit të Valparaisos një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin:
“Me të marrë lajmin e trishtueshëm të zjarrit të tmerrshëm që po e godet qytetin e Valparaisos, – thotë telegrami – Papa Françesku dëshiron të shprehë afërsinë shpirtërore me të gjithë banorët e këtij qyteti, ndërkohë që lutet për viktimat e kësaj fatkeqësie të rëndë dhe ndan dhimbjen me ata që humbën të afërmit dhe të mirat materiale. Ati i Shenjtë mbështet me anë të lutjes përpjekjet e skuadrave ndihmëse dhe u bën thirrje autoriteteve dhe të gjithë popullit, që të mos ligështohen përballë kësaj vështirësie, por, me shpirtin e solidaritetit dhe me dashurinë vëllazërore, të gjenden ndihmat e nevojshme për të gjithë të goditurit”.
Në përfundim të telegramit, Kardinali Parolin e beson Ipeshkvit të këtë porosi: “Shkëlqesia juaj do të ketë mirësinë t’u përçojë familjarëve të të vdekurve ngushëllimet e përzemërta të Shenjtërisë së Tij dhe t’u shprehë viktimave kujdesin atëror” të Papës Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.