2014-04-14 18:02:46

Papa: seminari nuk është strehë, mjerë barinjtë, që kullosin vetveten e jo grigjën


Nuk jeni duke u bërë funksionarë sipërmarrjesh, por barinj, sipas shembëlltyrës së Jezusit. Këtë u kujtoi sot Papa Françesku seminaristëve të Kolegjit Papnor Leonian të Ananjit, themeluar në vitin 1897 nga Leoni XIII, që formon meshtarët e ardhshëm të zonës së Lacios. Papa u foli lirshëm, e në këtë fjalë, qortoi ashpër barinjtë, që kullosin vetveten e jo grigjën. Seminaristët morën pjesë në audiencë, pas një shtegtimi në këmbë, të cilin Papa e quajti “simbol shumë i bukur i rrugës, që duhet përshkuar drejt dashurisë së Krishtit”.RealAudioMP3

“Shndërrimi i planeve të thirrjeve meshtarake, në realitete të frytshme apostolike”: me këto fjalë e përmblodhi Papa detyrën e Leonianit, si dhe të gjitha seminareve, duke vënë theksin mbi atmosferën ungjillore, e cila u krijon seminaristëve mundësinë të bëjnë të vetat ditë për ditë, ndjenjat e Jezu Krishtit, dashurinë e Tij për Atin e për Kishën si dhe përkushtimin pa ngurrim ndaj popullit të Zotit. Katër, shtyllat e formimit, që kujtoi Papa për seminaristët: lutje, studim, vëllazërim dhe jetë apostolike:
“Ju, të dashur seminaristë, nuk përgatiteni për mjeshtri, për t’u bërë funksionarë të një sipërmarrjeje o të një organizmi burokratik. Kemi shumë, shumë priftërinj në gjysëm të rrugës. Është e dhimbshme që nuk mund të shkojnë deri në fund të rrugës, kanë diçka prej funksionarësh, ndonjë përmasë burokratike, e kjo nuk i bën mirë Kishës. Ju porosis: kini mendjen të mos bini në këtë grackë. Ju po bëheni barinj sipas shëmbëlltyrës së Krishtit, Bariut të Mirë, për të qenë si Ai e në Vetjen e Tij, në mes të grigjës së Tij, për t’i kullotur delet e Zotit”.
Përballë kësaj thirrjeje, tha në vijim Papa, ne mund të përgjigjemi si Virgjëra Engjëllit: “Si është e mundur kjo?”. Të bëhemi barinj të mirë sipas shëmbëlltyrës së Krishtit, vërejti Papa Françesku, është diçka tepër e madhe, e ne jemi tepër të vegjël, por, në të vërtetë, nuk është vepra jonë, është vepër e Shpirtit Shenjt, me bashkëpunimin tonë:
“Duhet ta dhurojmë përvujtërisht vetveten, si baltë, e cila merr formë, që shtëmbari, domethënë Zoti, ta punojë me ujë e me zjarr, me Fjalën e Shpirtit. Duhet hyrë në atmosferën, që na e kujton Shën Pali: ‘Nuk jetoj më unë, është Krishti ai, që jeton në mua (Gal 2,20). Vetëm kështu mund të jemi diakonë e meshtarë në Kishë e vetëm kështu mund të kullotet populli i Zotit e t’i prihet jo në udhët tona, por në udhën e Jezusit, madje, në udhën, që është Jezusi”.
Është e vërtetë, vijoi Papa, se në fillim jo të gjitha ndjetet janë të qarta e të drejta, e është e vështirë të jenë:
“Por, mendoni apostujt! Mendoni Jakobin e Gjonin, njëri prej të cilëve donte të bëhej kryeministër, e tjetri, ministër i ekonomisë, sepse ishte më i rëndësishëm. Apostujt… mendonin gjëra të tjera… e Zoti, me shumë durim, i qortoi ndjetet e tyre e në fund i ktheu në ndjete të drejta, të ndershme, që i mësuan pastaj, të shkrinin jetën në predikim e në martirizim”.
Nëse nuk jeni të gatshëm ta ndiqni këtë udhë, vërejti Papa, është më mirë të merrni guximin e të kërkoni një udhë tjetër:
“Ka shumë mënyra, në Kishë, për të dhënë dëshmi të krishterë e edhe shumë rrugë, që çojnë madje edhe në shenjtëri. Në ndjekjen meshtarake të Jezusit nuk ka vend për mediokritet, atë mediokritet, që të shtyn, pastaj, ta përdorësh popullin shenjt të Zotit, për interesat tuaja, në përfitim tënd. Mjerë të këqinjtë! Barinjtë, që kullosin vetveten, e jo grigjën, ngrinin me forcë zërin profetët (cfr Es 34,1-6).
Mjerë barinjtë e këqinj, përsëriti Papa, sepse seminari, të themi të vërtetën, nuk është strehë për shumë kufizime, që mund të kemi, strehë për mungesat psikologjike ose strehë, sepse nuk kam guxim të ec nëpër rrugët e jetës e kërkoj një vend, që të më mbrojë:
“Jo, nuk ësht, ky! Nëse seminari juaj do të ishte ky, do të bëhej hipotekë për Kishën! Jo! Seminari është pikërisht për të ecur përpara, përpara në këtë rrugë, e kur t’i dëgjojmë profetët që bërtasin: ‘Mjerë!’, kjo britmë duhet të na bëjë të reflektojmë seriozisht për të ardhmen tonë. Piu XI pati thënë një herë se është më mirë ta humbasësh një thirrje, sesa të rrezikosh me një kandidat të pasigurt. Ishte alpinist, i njihte mirë këto gjëra”.Papa e përfundoi fjalën, duke ia besuar seminaristët Virgjërës Mari. Mistikët rusë, vërejti, thoshin se në çastet e tronditjeve shpirtërore, duhet të kërkosh strehë nën mantelin e Nënës së Shenjtë të Zotit. Të dalim, prandaj, por gjithnjë të mbrojtur nën mantelin e Marisë!







All the contents on this site are copyrighted ©.