2014-04-14 14:34:44

E Diela e Larit në Tokën e Shenjtë


Nësa Papa Françesku kremtonte të Dielën e Larit në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, sytë e të krishterëve të mbarë botës drejtoheshin edhe nga një vend tjetër tejet simbolik, Jeruzalemi. Me të Dielën e Larit, kremtuar kryesisht në Jeruzalem e Çisjordani, edhe në Tokën e Shenjtë u hapën zyrtarisht kremimet e Javës së Madhe.
Procesione me degë palmash u kremtuan në Ramallah, në Betlehem e Taybeh si dhe në të gjitha qytetet e tjera të krishtera të territoreve palestineze.
Në Jeruzalem procesioni i besimtarëve u nis nga Mali i Ullinjve, drejt murit të qytetit të vjetër, duke përshkuar pikërisht udhën, nëpër të cilën pati ecur Nazareni. Banesat e besimtarëve të krishterë katolikë, protestantë dhe ortodoksë ishin stolisur me degë palmash e ullinjsh.
Sivjet katolikët dhe ortodoksët do t’i kremtojnë Pashkët në të njëjtën ditë, prej këndej ndjehet fort prania e shtegtarëve, që vijojnë të dynden në Viset e Shenjta, për t’i ndjekur të gjitha ritet e kësaj Jave të Madhe. Me një shqetësim jo të paktë: autoritetet izraelite morën përsëri masa, që e pengojnë këtë pjesëmarrje masive të shtegtarëve nga mbarë bota, në gjurmët e Krishtit, nga e Diela e Larit, tek e Diela e Ngjalljes. Nabil Shaat, anëtar i qeverisë së Autoritetit Kombëtar Palestinez (Olp), i cili dje mori pjesë në procesionin e Jeruzalemit, theksoi se është krejt e papranueshme që të krishterët e myslimanët palestinezë të pengohen për të hyrë në Jeruzalem pa lejekalimin e Izraelit.
Në prag të festës së madhe, në Sheshin e Xhamive të Jeruzalemit, pati edhe ndeshje ndërmjet palestinezëve dhe policisë izraelite. Shkaku: qeveria izraelite u dha lejehyrje shumë besimtarëve të feve të ndryshme, me përjashtim të islamikëve, ndërsa dihet nga të gjithë se këto vise janë njëlloj të shenjta si për hebrenjtë, ashtu edhe për myslimanët, pa folur këtu për kristianët: ndjekës të Krishtit. Ndërhyn në këtë mes, bashkësia ndërkombëtare, me katër Konventat e Gjenevës e me Protokollin shtesë, konsideruar si tekste themelore të së drejtës humanitare ndërkombëtare, ndërsa palestinezët shikojnë, në ngjarjet e fundit, një pengesë serioze në vijimin e bisedimeve për paqen ndërmjet përfaqësuesve të dy palëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.