2014-04-13 16:27:29

Atë Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Falja e mëkateve


Katekizmi i Kishës Katolike i kushton vëmendje të madhe temës së faljes së mëkateve. Jezusi, kujton Katekizmi, i dha Kishës Sakramentet e Pagëzimit e të Rrëfimit, përmes të cilave mund të falemi e të pajtohemi me Zotin. Pikërisht tek tema e faljes së mëkateve ndalet sot jezuiti, atë Dariush Kovalçik, në reflektimin e 39-të të ciklit, kushtuar 20-vjetorit të botimit të Katekizmit.

Besojmë në të ndiemët e mëkateve. Kjo do të thotë se besojmë në Zotin Shëlbues. Sepse vetëm Zoti mund t’i falë mëkatet. Pikërisht për këtë arsye, kur Jezusi i tha të gjymtit “Biri im, të janë falur mëkatet!”, hebrenjtë u shkandulluan. E, mendonin në zemër të vet “Po blasfemon! Kush mund t’i falë mëkatet, përveç vetë Zotit?”(Mk 2,5-6). Po Jezusi thoshte të vërtetën, sepse ishte njeri i vërtetë, por edhe Zot i vërtetë. “Në Të na u falën fajet, përmes begatisë së hirit të Tij”(Ef 1,7)- shkruan Shën Pali.

Kur mendojmë për të gjitha mëkatet tona, ndjejmë një barrë të rëndë, nga e cila nuk mund të çlirohemi vetvetiu. E asnjë njeri nuk mund të na thotë: “Unë t’i zgjidh të gjitha mëkatet tua”. Realiteti negativ i mëkatit bën pjesë në jetën tonë, në veten tonë, na ndjek pas. Vetëm Hyji, Zot i mbarë gjithësisë, mund t’i shlyejë fajet tona.

Jezusi i dha Kishës së vet dy Sakramente, përmes të cilave mund të falemi e të pajtohemi me Zotin: Pagëzimin e Rrëfimin (cfr KKK, 977-980). E i dërgoi Apostujt e Tij të predikonin “kthimin (në rrugën e Zotit) dhe faljen e mëkateve” (Lk 24,47). Prandaj Shën Pali Apostull u kujton Korintianëve: “Ne jemi përfaqësuesit e Krishtit”(2 Kor 5,20).

Katekizmi na njeh me magjisterin e Kishës, e cila mëson: “Nuk ka mëkat, sado i madh të jetë, që nuk mund të falet nga Kisha Shenjte (n.982)”. I vetmi mëkat, që nuk mund të shlyhet, është ai kundër Shpirtit Shenjt. Katekizmi shpjegon se “mëshira e Hyjit nuk njeh kufij, por kush e prapëson me paramendim e nuk e pranon faljen e mëkateve dhe shëlbimin, dhuratë e Shpirtit Shenjt (n.1864), vijon të shtypet nën peshën e fajeve. Jo sepse kështu do Zoti, por sepse kështu do vetë njeriu!









All the contents on this site are copyrighted ©.